Për të tretin muaj radhazi, besimi në ekonominë shqiptare vijon të bjerë, duke reflektuar një klimë më të pasigurt si për bizneset, ashtu edhe për konsumatorët.
Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë për muajin mars, rënia është e shpërndarë pothuajse në të gjithë sektorët e ekonomisë.
Në nivel sektorësh, ndikimi negativ ka qenë i përgjithshëm. Industria dhe ndërtimi shënuan rënie të ndjeshme, të lidhura me pritje më të dobëta për prodhimin dhe porositë.
Edhe sektori i shërbimeve pësoi një tkurrje të lehtë të besimit, ndërsa i vetmi përjashtim mbetet tregtia, e cila regjistroi rritje, por jo të mjaftueshme për të kompensuar rënien në degët e tjera.
Këto zhvillime tregojnë se, pavarësisht disa sinjaleve pozitive të izoluara, aktiviteti ekonomik po përballet me vështirësi më të gjera, duke reflektuar një ngadalësim të perceptuar nga bizneset në pjesën më të madhe të sektorëve.
Edhe besimi i konsumatorëve ka ndjekur të njëjtin trend rënës. Ai u dobësua për shkak të pritjeve më pesimiste për gjendjen financiare personale dhe për situatën ekonomike në të ardhmen, duke rritur ndjesinë e pasigurisë në ekonomi.
Në këtë klimë, zhvillimet ndërkombëtare vijojnë të ushtrojnë presion. Pasiguritë në Lindjen e Mesme dhe luhatjet në tregjet globale po përkthehen në çmime më të larta, veçanërisht për energjinë dhe produktet bazë, duke ndikuar drejtpërdrejt edhe në Shqipëri dhe duke rënduar pritjet e bizneseve dhe familjeve.
Kjo ecuri ka bërë që treguesi i ndjesisë ekonomike të rritet lehtë me 0.6 pikë në mars, duke qëndruar rreth 8 pikë mbi mesataren historike.
Top Channel