Video/ Defekt në motor, avion i Delta Airlines bën ulje emergjente në Brazil

31/03/2026 09:06

Një avion i Delta Air Lines është detyruar të kryejë një ulje emergjente në Brazil, pasi një defekt në motor shkaktoi flakë menjëherë pas ngritjes.

Fluturimi DL104, me destinacion Atlanta, pësoi një problem mekanik në motorin e majtë teksa po ngrihej nga Aeroporti Ndërkombëtar Guarulhos në São Paulo, sipas raportimeve të New York Post.

Pamje të shpërndara në rrjetet sociale tregojnë shkëndija që dalin nga krahu i avionit gjatë ngritjes, duke shkaktuar panik dhe shqetësim te pasagjerët.

Kompania ajrore bëri të ditur se incidenti u shkaktua nga një “problem mekanik”. Avioni i tipit Airbus A330-300 arriti të ulej në mënyrë të sigurt, ndërsa ekipet e zjarrfikjes dhe shpëtimit ndërhynë menjëherë në vendngjarje.

Pas uljes, pasagjerët u transportuan me autobusë drejt terminalit të aeroportit. Kompania kërkoi ndjesë për vonesën, duke theksuar se siguria e pasagjerëve dhe ekuipazhit mbetet prioriteti kryesor.

Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar nga ky incident.

Top Channel