Universiteti Europian i Tiranës (UET) shpalli fituesit e Olimpiadës së Ekonomiksit, konkursit më të madh ndërkombëtar që teston njohuritë e nxënësve të shkollave të mesme në ekonomi, financë dhe të menduarit kritik.
Për të tretin vit radhazi, UET organizoi konkursin në bashkëpunim me Qendrën për Edukim dhe Zhvillim dhe me mbështetjen financiare të Economic Fundamentals Initiative, duke angazhuar mbi 4 mijë nxënës nga e gjithë Shqipëria në fazën e parë.
Pesë nxënësit që arritën rezultatet më të larta në fazën kombëtare, përveç vlerësimit financiar, do të vazhdojnë rrugëtimin drejt raundit ndërkombëtar për të përfaqësuar Shqipërinë në finalen e madhe, e cila mbahet në muajin shtator në Athinë.
“Me pjesëmarrjen e 4 mijë maturantëve nga e gjithë Republika e Shqipërisë, nga 81 shkolla, ne zhvilluam raundin e dytë dhe të tretë të kësaj olimpiade. U përzgjodhën pesë finalistë të cilët do të përfaqësojnë Shqipërinë në olimpiadën ndërkombëtare në shtatorin e 2026. Nëpërmjet iniciativave të tilla, UET mbështet talentet e reja dhe edukimin financiar”, tha dekania e Fakultetit të Ekonomisë, Dr. Elona Shehu.
Fituesi i vendit të parë, Enea Ymeri, nxënës i shkollës “28 Nëntori” në Shkodër, e përshkroi përvojën si emocionuese dhe të vlefshme për zgjerimin e njohurive dhe rrjetëzimit.
“Jam shumë i kënaqur që u vlerësova me çmimin e parë dhe jam shumë entuziast për një boot camp që do të zhvillohet në Maqedonia e Veriut, ku do të mësojmë gjëra të reja nga pedagogë të jashtëm. Do të bëj maksimumin për të përfaqësuar Shqipërinë në mënyrë sa më të denjë në finalen e madhe në Athinë”, studentja tha Enea Ymeri.
Olimpiada e Ekonomiksit, e themeluar në vitin 2016 nga Instituti i Edukimit Ekonomik (INEV), ka si qëllim të frymëzojë interesin për të mësuarit e termave dhe çështjeve ekonomike tek adoleshentët. Sot, ajo është konkursi më i madh në botë me pjesëmarrës nga mbi 30 vende në katër kontinente.
Top Channel