PS-PD “negociojnë” Kushtetutën, opozita kërkon ndryshim të sistemit elektoral, mazhoranca: Vetëm nëse ulet numri i deputetëve

31/03/2026 19:46

Dakordësia për financimin e partive politike shtoi oreksin e demokratëve për një kompromis akoma më të gjerë, që prek Kushtetutën. Oerd Bylykbashi hodhi në tryezën e reformës zgjedhore kërkesën për ndryshimin e sistemit elektoral dhe rikthim të koalicioneve parazgjedhore.

“Është sistem toksik për partitë politike, pluralizmin në parlament dhe demokracinë. Të gjitha gjërat që janë bërë janë arnime, është një sistem i poshtër që duhet hequr, sistem koalicioni që i lidh duart partive për të mos dalë në fletën e votimit, vetëm e vetëm që Edi Rama të rrijë në pushtet”, tha Oerd Bylykbashi.

Socialistët janë të gatshëm për marrëveshje politike, por me një kusht: Kushtetuta të preket jo vetëm për sistemin, por edhe për uljen e numrit të deputetëve.

“Ne s’kemi mandat si komision të ndryshojmë Kushtetutën, këtë mund ta bëjmë vetëm nëse do të ketë dakordësi politike. Jam dakord që këto çështje t’i përmbledhim dhe t’i diskutojmë qoftë në këtë komision, qoftë dhe në komision të karakterit të reformës kushtetuese”, tha Damian.

Demokratët për momentin i mbyllën derën një pakti të madh. Socialistët i sugjeruan negociata politike.

“Unë e shtrova çështjen parimore, jo populizmi. Reduktimi i numrit të mandateve, siç propozohet, zhduk partitë e vogla dhe dua ta sqaroj, nuk është çështja për histori komisionesh me mandat kushtetues”, tha Oerd Bylykbashi.

“Le të vijojmë agjendën dhe të vijojmë të negociojmë për gjëra politike, se nuk është çështje me ‘oh, hajde gjejmë kompromis’ tek interesi juaj politik dhe i yni”, tha Damian.

Sinjali i parë për prekjen e Kushtetutës u dha, por qëndrimet e palëve janë ende shumë larg.

 

Top Channel