Prej shumë vitesh i lënë pas dore, nis rehabilitimi i një nga kanaleve kryesore kulluese në qytetin e Vlorës

31/03/2026 12:29

Prej shumë vitesh i lënë pas dore, një nga kanalet kryesore kulluese në qytetin e Vlorës po i nënshtrohet një ndërhyrjeje të plotë rehabilitimi, me qëllim parandalimin e përmbytjeve.

Projekti i Bashkisë së Vlorës synon pastrimin total të kanalit dhe rikthimin e tij në funksion të plotë. Megjithatë, puna është shoqëruar me vështirësi, për shkak të ndërtimeve të shumta të ngritura përgjatë viteve, një pjesë e të cilave pa leje, madje edhe mbi vetë gjurmën e kanalit.

Kryetarja e Bashkisë së Vlorës Brunilda Mersini, bënë me dije se janë identifikuar disa ndërtime problematike, përfshirë edhe një vilë trekatëshe e ndërtuar plotësisht mbi kanal, çka e bën të vështirë ndërhyrjen për prishjen dhe pastrimin.

Siç raporton gazetari i Top Channel Mikel Marsi, për banorët e prekur, bashkia ka ofruar bonus qeraje, në mënyrë që të lehtësohet procesi i lirimit të hapësirave dhe vijimi i punimeve.

Ndërkohë, po sipas Mersinit, ndërhyrjet e deritanishme kanë dhënë efekt, pasi pavarësisht një dimri me reshje intensive, qyteti nuk ka pësuar përmbytje.

Projekti përfshin gjithashtu rikthimin në funksion të një baseni pritës, i cili më herët ishte jashtë përdorimit. Sipas specialistëve, këto struktura janë thelbësore për menaxhimin e prurjeve të ujit.

Bashkia paralajmëron se çdo ndërtim që pengon aksesin për pastrimin dhe mirëmbajtjen e kanalit do të hiqet, në funksion të sigurisë së qytetit.

Top Channel