Opinion/ Fitim Zekthi: Preç Zogaj si diçka unike në politikën tonë, sidomos në të djathtën

31/03/2026 18:33

Nga Fitim Zekthi

Nuk kam menduar të shkruaj ndonjëherë në vetë të parë sepse më dukej dhe më duket padyshim diçka e tepruar dhe e mbushur me vlerësim të tepruar, në mos me ndonjë krisje psikologjike. Kam shumë kohë ndoshta vite që mendoj të shkruaj diçka për Preç Zogajn, për atë që ai përfaqëson në këtë zallamahi tonën të jetës publike sidomos politikës. Nuk e kam bërë duke pasur drojë kritikat për anshmëri apo përgojimet se po bëj një shkrim për një mik.

Pak ditë më parë në Berat kur po përcillej për në amshim i miri dhe i përkori Namir Lapardhaja, mes asaj atmosfere shumë të dhimbshme dhe të përzishme, mes qindra e qindra njerëzve të qytetit, mes dhjetëra njerëzve të ardhur nga Tirana, mes shumë miqsh, gazetarësh, shkrimtarësh, politikanësh etj., vihej re në atë turmë me flokët e thinjur tek avitej ngadalë në rrugicat mes varreve, në heshtje, Preç Zogaj. Kisha ditë që kisha një gulç të madh në gjoks, kisha një lëmsh në fyt që ditën kur mora lajmin se Namir Lapardhaja ndërroi jetë. Preç Zogaj më tha se do të shkonte në Berat, se Namiri i ishte dhimbur shumë, më tha se Namiri kishte gjithçka të mirë që mund të ketë një njeri.

Ishin këto fjalë dhe portreti i Preçit në atë mesditë në Berat që më bënë të shkruaj shkrimin që kam disa vite që e mendoj dhe nuk kam pasur guxim ta shkruaj për Preç Zogajn.

E kam ditur gjithmonë që njeriu për nga natyra e tij ka potencialin të jetë i tmerrshëm, të bëjë krime të pështira, të sillet në mënyrë të poshtër. E kam ditur gjithashtu që njeriu ka potencialin të jetë shumë i mirë, të dojë të drejtën dhe të dhembshurën, të mbrojë të mirën dhe të luftojë për fisniken duke sakrifikuar nga vetja. Pikërisht kjo gjë e bën njeriun të jetë një nga krijesat më të veçanta. Ndryshe nga engjëjt, bimët, pemët, kafshët etj., njeriu mund të zgjedhë të jetë i mirë ose i keq. Ata mund të jenë inteligjentë, njerëz që mendojnë dhe arsyetojnë, ose mund të jenë kokëbosh, nga ata që janë lëndë e parë e asaj që Hannah Arendt e quante banaliteti i së keqes. Ky lloj njeriu prodhoi monstrat që kryen krimet në komunizëm dhe fashizëm. Pra njeriu mund të jetë mëkëmbës i Zotit në tokë, i ngarkuar me detyrën e dëshmimit të Tij dhe me mbrojtjen e së drejtës dhe së mirës. Kjo është pika në të cilën njeriu është krijesë e veçantë e Zotit dhe këtij njeriu i janë përulur edhe engjëjt.

Fetë e mëdha monoteiste besojnë se ky është njeriu të cilit i ka folur Zoti përmes zbulesës dhe profetëve dhe kjo është krijesa që Ai do dhe mbron. Nga ana tjetër gjendet njeriu lakmitar, i pangishëm, shkatërrues, epshndjekës dhe jo inteligjent, që mund të shkatërrojë veten, por mund të dëmtojë deri në shkatërrim edhe krijimin. Duke qenë se ne vijmë nga komunizmi ne kemi qenë dhe jemi të përmbytur nga njerëzit lakmitarë, maskarenj, të pamoralshëm dhe për më tepër jo inteligjentë, krejtësisht vulgarë. Ky lloj njeriu dominoi dhe dominon politikën shqiptare. Preç Zogaj më është dukur gjithmonë si dikush jashtë kësaj bote, si dikush nga një botë tjetër.

Kur isha student lexova një poezi të tijën “A thua do të vish duke qeshur”. Më dukej e jashtëzakonshme, jo komuniste, jo dogmatike, shumë elegante. Ishin vitet e para ‘90. Kisha një neveri të brendshme për komunizmin, ndikuar edhe nga familja dhe jeta e skëterrshme në kooperativë. Në vitet 1990-1991 kur ndiqja me një emocion të rrallë ngjarjet e lëvizjes demokratike kundër Partisë së Punës, vura re në një rast ministrin e Kulturës, Preç Zogaj, duke folur italisht në një takim. Lajmet e TVSH dhanë një fragment. M’u duk i afërt, shumë njerëzor, por edhe shumë i largët për shkak se kulturorisht m’u duk shumë elegant. Nuk e besoja dot që në atë Shqipërinë tonë kishte njerëz me atë lloj elegance. Ishte edhe naiviteti im prej gjimnazisti, por edhe skëterra e izolimit komunist.

Më vonë kur isha student fillova të përfshihem vetë në lëvizjen e studentëve, në forumet rinore të PD-së dhe të kuptoj dhe ndjek më afër politikën. Në një moment i ndikuar nga ajo që thuhej për PD-në e mora inat, por kisha një luftë të brendshme sepse nuk e besoja dot që Preç Zogaj ishte kështu i keq, komunist etj., siç thuhej në vitet 1992-1997.

Me kalimin e viteve, sidomos kur nisa të punoja në media dhe universitete, kur ndërtova një mekanizëm analitik për politikën, kur njohja ime mbi shkencën politike u zgjerua, fillova të kuptoj se Preç Zogaj është diçka e veçantë në politikën shqiptare. Nuk po merrem dhe nuk do të merrem me veprën e tij letrare apo publicistike sepse nuk kam kapacitetin e duhur për ta analizuar.

Politikisht Preç Zogaj është ndoshta përjashtimi i vetëm që përmbush përkufizimin më të plotë dhe më serioz sipas meje për politikanin. Siç thotë Trey Gowdy një politikan duhet të ketë ide të tijat, duhet të shpjegojë pse ka këto dhe jo të tjera, pse këto janë më të mira se ato të të tjerëve dhe duhet t’i bindë njerëzit që këto ide i ka të brendësuara dhe pjesë të identitetit të vet. Kjo gjë e bën dikë koherent dhe konsistent, e bën njeri dhe sigurisht e bën politikan. Preç Zogaj e ka thënë që në ditën e parë dhe e thotë vazhdimisht me mënyrën dhe qëndrimet e veta se ai është një antikomunist, një liberal i djathtë, një besimtar i krishterë që respekton dhe do atdheun dhe qytetarët e vendit të vet, që nderon fetë dhe besimtarët e feve të tjera. Aq e vërtetë është kjo sa ka pasur raste kur votues të fshatrave myslimane i thonin pse nuk bëhesh hoxhë, je kaq i mirë. Preç Zogaj ka të ngulitur në gjithçka mbrojtjen e lirive ekonomike, atyre politike dhe të lirive të besimit. Kush nuk e ka kuptuar këtë nuk ka kuptuar asgjë nga politika jonë dhe zallamahia jonë. Zogaj kurrë nuk ka mbrojtur diçka të majtë, diçka komuniste, diçka iliberale, diçka antikonservatore, diçka kundër lirisë së besimit. Kurrë.

Sjellja e Preç Zogajt është një monument në Shqipërinë tonë të drobitur dhe grabitur, të rrahur dhe tallur nga lloji i politikanit mashtrues që rren dhe ndryshon qëndrim përditë, që ndryshon kah sa herë i leverdis. Shoqëria është e mbushur me lloj intriganti që zgjedh gjithmonë atë qëndrim që e afron me pushtetin dhe me liderin, edhe kur lideri është i korruptuar edhe kur pushteti është lak në qafën e njerëzve.

Preç Zogaj ishte në PD, ishte themelues, ishte deputet i saj dhe kur pa që liritë politike aq të shenjta për një demokraci po shkeleshin kundërshtoi lidershipin, kërkoi liri dhe respekt për liritë politike në vitin 1992. PD e përjashtoi, por Preç Zogaj zgjodhi parimet e lirisë politike, jo leverdinë e tij duke i qëndruar pas liderit. Pra doli në opozitë me vetëdije. Gjatë viteve 1992-1997 u mor me PAD-në, një parti e dalë nga PD e cila pretendonte të mbronte liritë për të cilat luftoi PD. Në vitin 1997 ai është njeriu më i moderuar, ai është njeriu që ul palët në bisedime, ai është njeriu që bën të mundur futjen e vendit në hullinë demokratike duke ndërmjetësuar marrëveshjen e marsit dhe futjen e vendit në zgjedhje. Kjo është diçka e pranuar si nga PD dhe nga PS. Pas 1997 nuk pranoi të jetë anëtar i qeverisë. Përkohësisht u bë këshilltar i presidentit Meidani dhe më pas drejtor i gazetës Shekulli që ishte më e mira në atë kohë. Në vitin 2000 u bë ministër shteti për luftën ndaj korrupsionit dhe dha dorëheqjen pas dy muajsh pas mosmarrëveshjeve me kryeministrin. Pra nuk zgjodhi siç bëjnë dhe siç bënë shumë njerëz të rrijë pas kryeministrit.

Në vitin 2001 kur kryeministri Meta rrethoi Tiranën dhe arrestoi kryetarin e PD Sali Berisha, kur po atë ditë kryeministri Meta kishte ushtruar terror në Bajram Curri, Preç Zogaj shkoi në konferencën për shtyp të Berishës. Në atë moment të vështirë, kur ne si demokratë ndjeheshim të braktisur dhe të rrahur, prania e Preç Zogajt, e dikujt që vinte nga ana e pushtetit, ishte jo vetëm ngushëlluese por edhe shpresëdhënëse. Preç Zogaj denoncoi dhunën e qeverisë, mbrojti opozitën. Nisi kthimi i Zogajt në PD. Pra, largim nga pushteti dhe vajtje në PD kur askush nuk shkonte. Katër vite më pas në 2005 PD e kandidon për deputet në Lezhë, ai fiton bindshëm. Bëhet pjesë e fitores së madhe të atij viti. Është deputet shumë i rëndësishëm, por jo gjithmonë në rresht. Në vitin 2009 PD kërkon ta zhvendosë nga Lezha dhe ta dërgojë në Pukë. Zogaj, i cili kishte kandiduar në Lezhë që nga 1990, nuk pranon, i duket tradhti e votuesit, sjellje e keqe e PD. Largohet nga PD, del në opozitë. Sërish largohet nga pushteti në opozitë.

Gjatë viteve 2009-2013 është në opozitë dhe aleat me Ramën dhe PS. Ditën që Rama dhe PS bëjnë marrëveshje me Ilir Metën, i cili u largua nga qeveria me Berishën, Preç Zogaj denoncon marrëveshjen Rama-Meta dhe ikën prej Ramës. Me Ramën do të bëhej deputet, do ishte në pushtet. I la të dyja dhe doli përsëri në opozitë pa qenë as deputet, pa asnjë privilegj politik.

Nga viti 2013 e deri më sot është në opozitë. Ka qenë një prej denoncuesve më të rëndësishëm dhe prej zërave me arsyetimin më elokuent dhe më të besueshëm në denoncimin e instalimit të një qeverisjeje antidemokratike nga Rama. Edhe sot mban qëndrimet më koherente të mundshme, artikulon mendimin politik më të qartë në opozitë. Në një farë mënyre Preç Zogaj politikisht është një njeri që di të sillet në çdo situatë, është një lloj ndërgjegjeje morale dhe politike e vendit tonë, e të djathtës dhe e të gjithë atyre që i kanë të shenjta liritë themelore. Është gati unik, në mos është unik, në skenën tonë politike. 36 vite koherencë dhe konsistencë është diçka e madhe sidomos në një vend kur njerëzit zgjedhin pushtetin dhe servilizmin përditë. Për sjellje si e Zogajt, jo vetëm për artikulim si të Zogajt (për të cilin kemi e kemi nevojë) ka nevojë sot vendi, sidomos e djathta.

Top Channel