Nga hapja e fondeve të IPARD te mbështetja për fermerët dhe dëmshpërblimet, ministri Salla shpjegon ndryshimin e skemës së re: Nafta për fermerët…

31/03/2026 10:38

Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Andis Salla, ka shpjeguar sot skemën e re mbështetëse për bujqit dhe blegtorët.

Ai tha se është hequr nafta falas për fermerët, por në këtë skemë ata do të kenë mundësi që të marrin mbështetje në të gjitha masat.

“Skema e naftës është një skemë mbështetëse, ne japim pagesë të drejtpërdrejtë, dhe skema që paraqitëm sot fermeri bëhet pjesë në gjithë masat që kemi marrë. Kjo është ajo çfarë ne i kemi ofruar fermerëve, jo vetëm një masë e caktuar, është mbështetje për fermerin dhe këto masa që kemi vendosur në këtë skemë mbështetëse përfshinë çdo fermerë…

Skema e naftës është skemë për ulje kosto prodhimi dhe është mbështetur me buxhet të drejtpërdrejtë për fermerin, me skemën e re është gjithëpërfshirëse ku mbulohen të gjithë fermerët në uljen e kostos së prodhimit”, tha ai.

Ndërkohë ministri Salla tha se deri në datën 9 prill, Shqipëria do të paraqesë kërkesat në BE për të kërkuar hapjen e fondeve të IPARD.

“Kemi diskutuar në Bruksel për gjithë detyrat që kemi, brenda datës 9 prill do të depozitojmë kërkesat që na janë caktuar, presim më pas akreditimin e paketës së IPARD”, deklaroi ai.

I pyetur në lidhje me dëmshpërblimet për zjarret, përmbytjet apo për murtajën që ra mbi gjedhët, ai tha se për këtë të fundit brenda pak ditësh do të kalojnë paratë në llogaritë e familjeve që kanë pasur humbje.

“Përmbytjet ne i kemi dakordësuar me ministrinë e mbrojtjes. Me mbështetje nga qeveria jemi gati për aktin e radhës për të mbështetur fermerët, dhe që kanë kaluar situatën e zjarreve, i kanë kaluar bashkive nga qeveria. Të gjitha bashkitë kanë marrë në dhjetor mbështetjen nga qeveria dhe janë kaluar në ato familje që janë prekur. I kemi gati për të kaluar paratë për ata që fermerë që gjedhët e tyre janë prekur nga murtaja”, tha ai.

Top Channel