Ministrja Kumbaro: Vijon puna për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore

31/03/2026 12:59

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, tha se po vijon puna për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, një institucion që do të reformohet me një sistem të ri, transparent, meritokratik dhe të besueshëm për administrimin dhe zhvillimin e testimeve në vend.

Ministrja bëri me dije se së fundmi është zhvilluar një vizitë pune në Universitetin e Kembrixhit, me mbështetjen e të cilit po punohet për reformimin e këtij institucioni sipas standardeve dhe ekspertizës më të mirë ndërkombëtare.

Në këtë proces është përfshirë edhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, i cili kontribuon me ekspertizë teknike dhe mbështetje financiare.

“Kemi miratuar në Qeveri ligjin që e kthen në një Agjenci Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, ndërsa sapo jemi kthyer nga një vizitë pune në Universitetin e Kembrixhit, me mbështetjen e të cilit po punojmë për ta reformuar sipas standardeve dhe ekspertizës më të mirë ndërkombëtare, së bashku me partnerët e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, që ndihmojnë me ekspertizë teknike dhe financiare. Bëhet fjalë për provimet e maturës shtetërore, provimet e profesioneve të rregulluara, por edhe testet ndërkombëtare si PIRLS apo TIMS.

Agjencia e re e Shërbimeve Arsimore do të përfitojë nga Universiteti i Kembrixhit në 6 fusha, si forcimi i sistemit, transformimi digjital, rritja e cilësisë dhe transparencës, trajnimi i stafit, qëndrueshmëria financiare dhe planifikimi strategjik”, tha Kumbaro në konferencën me gazetarët.

Sipas Ministres Kumbaro, krijimi i Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore përbën edhe piketën përmbyllëse të kapitullit 26, të dedikuar arsimit. Me miratimin e këtij ligji, ky kapitull konsiderohet i përfunduar.

Top Channel