Në një ceremoni zyrtare, Drejtori i ri i Policisë Skënder Hita ka marrë sot detyrën e tij të re.
Ministri i punëve të Brendshme Besfort Lamallari vlerësoi figurën e tij për profesionalizmin dhe integritetin që ka treguar gjatë viteve të karrierës.
“Vlerësoj gjithë kandidatët që ishin të pranishëm. Lidhur me kandidatin fitues, jam i bindur që të gjithë ju këtu sot por edhe më gjerë, ndani të njëjtën bindje me mua se zoti Hita është njeriu i duhur për të udhëhequr Policinë në këtë moment të rëndësishëm. Është profesionist dhe me integritet”, u shpreh ministri gjatë fjalës së tij.
“Forconi më tej profesionalizimin, thelloni luftën kundër paligjshmërisë, dhe garantoni që Policia të mbetet një institucion në shërbim të qytetarëve dhe jo mbi ta”, ishin porositë që Lamallari i dha drejtuesit të ri.
Ndërsa drejtori i ri i Policisë së Shtetit, Skënder Hita tha “Betohem për të mbajtur me nder flamurin e Policisë së Shtetit. Betohem! E nderuar zonja Koçiu, zoti Lamallari, zoti Cuçi, të nderuar oficerë ndërlidhës të vendeve partnere, sot është një ditë e rëndësishme në karrierën time në Policinë e Shtetit. Kam nderin të marr detyrën më të lartë në organizatën tonë. Gjej rastin e veçantë të falënderoj kryeministrin dhe qeverinë.
I jam mirënjohës çdo efektivi të policisë që shërben në krye të detyrës. Mbetet sfidë, thellimi i rezultateve dhe forcimi i besimit nga qytetarët mbi policinë. Lufta pa kompromis ndaj korrupsionit, duke nisur nga radhët tona, forcimi i rendit dhe sigurisë në të gjithë territorin, janë misioni im.”
Top Channel