Izraeli rrit ndjeshëm shpenzimet ushtarake, shmang zgjedhjet e parakohshme

30/03/2026 12:25

Parlamenti izraelit ka miratuar buxhetin e vitit 2026, duke i dhënë prioritet të fortë shpenzimeve për mbrojtjen. Vendimi shmang rënien automatike të qeverisë së Netanyahut. Por opozita e cilëson buxhetin si “vjedhjen më të madhe” në historinë e vendit.

Parlamenti i Izraelit ka miratuar në orët e para të mëngjesit buxhetin për vitin 2026, një vendim kyç që shmang rënien automatike të qeverisë dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Buxheti u votua me 62 vota pro dhe 55 kundër, duke kaluar në një moment kritik për vendin, i cili është i përfshirë në disa fronte lufte.

Totali i shpenzimeve arrin në rreth 850 miliardë shekelë, ose afro 270 miliardë dollarë, me një rritje të fortë të financimit për mbrojtjen. Vetëm për ushtrinë janë shtuar mbi 30 miliardë shekelë, duke e çuar buxhetin e mbrojtjes në më shumë se 142 miliardë. Kjo vjen në kushtet e përshkallëzimit të konfliktit me Iranin dhe përballjes së vazhdueshme me Hamasin në Gaza dhe Hezbollahun në Liban.

Ministri i Financave, Bezalel Smotrich, e cilësoi buxhetin si një “pikë kthese historike”, duke theksuar se Izraeli ka kapacitetin për të riformësuar Lindjen e Mesme. Sipas tij, vendi është i pozicionuar për të fituar në aspektin e sigurisë dhe ekonomisë.

Por opozita ka reaguar ashpër. Kreu i saj, Yair Lapid, e quajti buxhetin “vjedhjen më të madhe në historinë e shtetit”, duke akuzuar qeverinë se po shpërndan miliarda për interesa politike dhe për shmangie të detyrimeve ushtarake. Ai kritikoi gjithashtu uljen me 3% të financimit për ministritë civile, ndërkohë që fondet për grupet ultra-ortodokse dhe vendbanimet hebraike mbeten të larta.

Sipas raportimeve, mbi 750 milionë dollarë shtesë do të shkojnë për shkollat private të kontrolluara nga partitë ultra-ortodokse, ndërsa financimi për vendbanimet në Bregun Perëndimor mbetet i pandryshuar, pavarësisht kritikave ndërkombëtare.

Top Channel