U fut i armatosur në lokal, kanosi klientët dhe goditi në kokë pronarin, arrestohet pas disa orësh arrati 28-vjeçari në Kavajë

29/03/2026 17:27

Një 28-vjeçar është vënë në pranga në Kavajë pasi i armatosur ka goditur me qytën e pistoletës pronarin e lokalit dhe ka kanosur disa klientë.

Terror në një lokal në qytetin e Kavajës, 28-vjeçari i armatosur godet me qytën e pistoletës pronarin e lokalit dhe përplaset gjatë arratisë.

Ngjarja ndodhi në qytetin e Kavajës, ku 28-vjeçari Murat Curri, alias Murat Cërriku, i armatosur ka hyrë në një bar-kafe, duke kanosur klientët dhe duke goditur me qytën e pistoletës pronarin e lokalit.

Sipas Policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 09:40 të së dielës në lagjen nr. 2 të qytetit. Pas aktit të dhunshëm, autori i dyshuar u largua me shpejtësi me automjet, duke dëmtuar edhe një mjet të parkuar gjatë tentativës për t’u arratisur.

Policia e Kavajës, në bashkëpunim me Forcat Operacionale të Durrësit, u vunë në ndjekje të autorit. Gjatë ndjekjes, për shkak të shpejtësisë së lartë, 28-vjeçari Curri humbi kontrollin e automjetit, duke u përplasur me trafikndarësen dhe me një automjet tjetër.

Pas aksidentit, ai braktisi mjetin dhe u largua në këmbë, ndërsa Policia ka vijuar kontrollet intensive në zonë.

Pas disa orësh kërkimesh dhe përdorimit të metodave speciale hetimore, i riu u lokalizua dhe u kap në një hotel në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Gjatë tentativës për t’u larguar, ai ka hedhur armën e zjarrit, e cila është gjetur më pas në një kanal dhe është sekuestruar si provë materiale.

Në automjetin që përdori, tip “Range Rover”, policia gjeti gjithashtu një krehër me municion luftarak.

Nga hetimet paraprake rezulton se 28-vjeçari ka kanosur dy klientë dhe ka goditur në kokë me qytën e pistoletës pronarin e lokalit, shtetasin S. V., 64 vjeç, i cili ka pësuar dëmtime të lehta.

I arrestuari, me precedentë penalë në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje, u prangos, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Njoftimi: 

U fut i armatosur në një lokal, kanosi klientët, goditi me qytën e pistoletës pronarin e lokalit dhe, për t’i shpëtuar Policisë, u largua me shpejtësi me automjet, duke dëmtuar edhe dy automjete të qytetarëve.

Kapet pas disa orësh kërkimesh dhe ndjekjeje nga shërbimet e Policisë.

Pas disa orësh kërkimesh, 28-vjeçari u lokalizua dhe u kap në një hotel te Shkëmbi i Kavajës, nga shërbimet operacionale të DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë.

Gjatë tentativës për t’u larguar, 28-vjeçari hodhi armën e zjarrit, e cila u gjet gjatë kontrollit në terren dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë morën njoftim, rreth orës 09:40 të ditës së sotme, se një shtetas i armatosur kishte hyrë në një bar-kafe në lagjen nr. 2, në qytetin e Kavajës, ku kishte kanosur klientët dhe kishte goditur me qytën e pistoletës pronarin e lokalit.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë shkuan në adresën e dhënë, por shtetasi i armatosur, për t’i shpëtuar Policisë, ishte larguar me shpejtësi me automjet dhe, gjatë largimit, kishte dëmtuar edhe një automjet të parkuar.

Shërbimet e Policisë u vunë në ndjekje, duke koordinuar veprimet me Forcat Operacionale të DVP Durrës.

Gjatë ndjekjes, si pasojë e shpejtësisë së lartë, shtetasi i armatosur humbi kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe u përplas me trafikndarësen dhe me një automjet tjetër.

Më pas, ai braktisi automjetin dhe u largua nga vendi i aksidentit.

Shërbime të shumta të Policisë vijuan kontrollet në zonë.

Pas disa orësh kërkimesh, duke përdorur dhe metodat speciale të hetimit, Forcat Operacionale të DVP Durrës bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasit M. C., alias M. C., 28 vjeç, banues në Kavajë, person me precedent kriminal në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje.

Gjatë kontrollit të territorit, u gjet në një kanal dhe u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë, dhe gjatë kontrollit në automjetin tip Range Rover në përdorim nga 28 vjeçari u gjet krehëri me municion luftarak.

Nga hetimet paraprake rezulton se 28-vjeçari ka kanosur dy klientë të lokalit dhe ka goditur në kokë, me qytën e pistoletës, pronarin e lokalit, shtetasin S. V., 64 vjeç, duke i shkaktuar dëmtime të lehta.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.

Top Channel