SHBA shton trupat në Lindjen e Mesme, në shënjestër edhe grupi Huthi/ Irani lejon disa anije të kalojnë në Ngushticën e Hormuzit

29/03/2026 08:11

Shtetet e Bashkuara të Amerikës shtuan trupat ushtarake në Lindjen e Mesme, teksa lufta hyri në muajin e dytë, duke zgjeruar hartën me përfshirjen edhe të grupit rebel Huthi, i shpallur organizatë terroriste nga Uashingtoni.

Një anije e marinës amerikane, që mbante rreth 2500 marinsa, ka mbërritur në Lindjen e Mesme, njoftoi Komanda Qendrore e SHBA-së.

Përveç marinsave, Komanda Qendrore amerikane njoftoi gjithashtu se anija do të dërgojë në frontin e luftës edhe avionë transporti dhe sulmi, si dhe automjete sulmi amfibe.

Po ashtu, edhe dy anije të tjera, së bashku me një Njësi tjetër Ekspedicionare Detare, janë urdhëruar të shkojnë në rajon nga San Diego.

Nga ana tjetër, Irani njoftoi se ka rënë dakord të lejojë 20 anije me flamurin pakistanez të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të furnizimit global me energji.

Bllokimi i Hormuzit ka shkaktuar një nga krizat më të mëdha gjeopolitike dhe energjetike të dekadave të fundit, në një muaj konflikt në Lindjen e Mesme.

Lufta nisi më 28 shkurt 2026, kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli ndërmorën një seri sulmesh ajrore ndaj objekteve ushtarake dhe bërthamore në Iran. Në këto goditje u vra edhe lideri suprem iranian Ali Khamenei, një zhvillim që shënoi pikën e kthesës dhe përshkallëzoi menjëherë situatën.

Teherani reagoi me një valë sulmesh me raketa dhe dronë ndaj Izraelit dhe bazave amerikane në rajon, duke e zgjeruar konfliktin në disa fronte, përfshirë Libanin dhe Gjirin Persik.

Sulmet ajrore kanë vijuar në të dyja anët. Izraeli ka bombarduar objekte bërthamore, baza ushtarake dhe infrastrukturë strategjike në Iran, ndërsa Irani ka vijuar kundërpërgjigjen me raketa dhe përmes aleatëve të tij në rajon, si Hezbollah dhe Houthit.

Vrasjet e liderëve dhe komandantëve ushtarakë kanë qenë një element kyç i konfliktit, përfshirë eliminimin e komandantëve të Gardës Revolucionare që drejtonin operacionet në Hormuz, duke synuar dobësimin e zinxhirit komandues iranian.

Top Channel