Protesta anti-Trump në SHBA/ Nën moton “Pa Mbretër”, miliona njerëz “pushtojnë” rrugët e qyteteve 

29/03/2026 11:00

Protesta masive kundër administratës së Donald Trump kanë përfshirë pothuajse të gjitha qytetet kryesore të Shteteve të Bashkuara, në atë që konsiderohet si një nga mobilizimet më të mëdha qytetare të viteve të fundit.

Të organizuara nën moton “No Kings” (Pa Mbretër), tubimet shënuan valën e tretë të kësaj lëvizjeje, duke nxjerrë në rrugë qindra mijëra qytetarë në mbi 3 mijë qytete në të gjithë vendin.

Protestuesit kundërshtojnë një sërë politikash të administratës Trump, nga ndërhyrja ushtarake në Iran, te ashpërsimi i masave ndaj emigracionit dhe rritja e kostos së jetesës.   Në shumë qytete si Nju Jorku, Uashingtoni dhe Los Anxhelosi, pjesëmarrja ka qenë masive, ndërsa tubime janë zhvilluar edhe në zona më të vogla.

Një nga pikat kryesore të protestave ishte shteti i Minesotës, ku mijëra persona u mblodhën pas vrasjes së dy qytetarëve amerikanë, Renee Nicole Good dhe Alex Pretti, gjatë operacioneve të agjentëve federalë të emigracionit.

Gjatë tubimeve, protestuesit mbanin pankarta dhe portrete të Trump, si dhe të zyrtarëve të tjerë të administratës, duke bërë thirrje për largimin e tyre nga pushteti. Në disa raste, aktivitetet morën edhe formë simbolike dhe kulturore, ku artistë si Bruce Springsteen performuan në mbështetje të protestuesve, duke i dhënë zë pakënaqësisë popullore.

Megjithatë, protesta nuk kaloi pa tensione. Në disa qytete, përfshirë Los Anxhelosin, u raportuan incidente dhe arrestime pas përplasjeve me forcat e rendit.

Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë i minimizoi protestat, duke i cilësuar ato si të parëndësishme dhe të nxitura nga kundërshtarët politikë.

Pavarësisht reagimeve zyrtare, pjesëmarrja e gjerë dhe shtrirja në të gjithë vendin tregojnë për një pakënaqësi në rritje ndaj politikave të administratës aktuale, ndërsa lëvizja “No Kings” duket se po fiton terren si një nga format më të mëdha të kundërshtimit qytetar në SHBA.

Top Channel