Prishet rruga, izolohet fshati/ Situatë e vështirë në Labovë të Gjirokastrës, banorët: Të sëmurët i transportojmë në krah

29/03/2026 12:34

Prej tre muajsh, banorët e Labovës së Zhapës, në bashkinë e Gjirokastrës, jetojnë në izolim të plotë.

Rruga që lidh fshatin me zonat e tjera është dëmtuar rëndë, duke e bërë të pakalueshme dhe duke vështirësuar ndjeshëm jetën e përditshme. Si pasojë e degradimit të terrenit, dy banesa janë shpallur të pabanueshme, ndërsa familjet e prekura përballen me pasiguri dhe frikë për të ardhmen.

Mes lotësh, banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga bashkia, pasi thonë se rrezikojnë të detyrohen të braktisin shtëpitë e tyre, ku kanë jetuar prej më shumë se 50 vitesh. Edhe rruga alternative e hapur nuk është funksionale plotësisht. Sipas banorëve, në raste emergjencash ata janë detyruar të transportojnë të sëmurët në krahë, pasi ambulanca nuk arrin të kalojë në këtë segment.

Kjo situatë e rëndë nuk ka prekur vetëm familjet e Labovës së Zhapës, por edhe banorët e Labovës së Vogël, të cilët gjithashtu përballen me të njëjtat vështirësi në lëvizje dhe akses në shërbime bazë. Banorët apelojnë për një zgjidhje sa më të shpejtë, duke theksuar se çdo ditë që kalon e përkeqëson më tej situatën dhe rrit rrezikun për jetën dhe pronën e tyre.

Top Channel