Greqia rrit pagën minimale, nga 1 prilli 920 euro bruto/ Rritja e gjashtë që nga viti 2019

29/03/2026 12:15

Greqia rrit pagën minimale, e cila nga 1 Prilli shkon në 920 euro bruto, sipas njoftimit të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.

Bëhet fjalë për rritjen e gjashtë radhazi që nga viti 2019, ndërsa vetëm nga viti i kaluar paga bazë shtohet me 40 euro në muaj.

Kjo rritje nuk prek vetëm punonjësit që paguhen me minimumin, por “tërheq” automatikisht lart edhe një sërë pagesash dhe përfitimesh të lidhura me të, si shtesat për vjetërsinë në punë, të ashtuquajturat periudha trevjeçare. Kryeministri Mitsotakis theksoi se rritja është pjesë e një tendence të vazhdueshme të viteve të fundit.

“Është një rritje mujore prej 40 eurosh krahasuar me vitin e kaluar. Me fjalë të tjera, rritja kumulative e pagës minimale që nga viti 2019 tejkalon 415%. Kjo përkthehet në më shumë se 3.780 euro në vit”.

Rritje do të ketë edhe për një numër të madh përfitimesh sociale si shtesa për personat e martuar, apo asistenca sociale për të papunët që ngjitet në 564 euro nga 540 që ishte më parë. Po ashtu ndikohen pagesat për lejen e lindjes, lejen prindërore, programet e punësimit, praktikave profesionale dhe një sërë ndihmash sezonale.

Paralelisht, qeveria parashikon edhe një rritje horizontale prej 40 eurosh për të gjithë nëpunësit e sektorit publik.Sipas autoriteteve, që nga viti 2019 paga minimale është rritur nga 650 në 920 euro, ndërsa qeveria thekson se synimi është mbështetja e të ardhurave përballë kostos së lartë të jetesës dhe synimi për 950 euro në vitin që vjen.

Nga ana e tyre, partitë opozitare dhe sindikatat e konsiderojnë këtë rritje si të pamjaftueshme përballë rritjes së fortë të çmimeve. Sipas qeverisë, rritja mbështetet edhe nga ecuria e ekonomisë greke, e cila po zhvillohet me rreth 2,1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke lejuar një rritje që sipas autoriteteve, forcon gradualisht të ardhurat e disponueshme pa rënduar tej mase bizneset, veçanërisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Top Channel