Braçe shfaq ambicien për të garuar për Tiranën në 2027: Do ta vlerësoj kandidimin
Mbledhja e Grupit Parlamentar të PS me ministrat ka sjellë përplasje mes Elisa Spiropalit dhe Ramës, ndërsa kryeministri nuk kurseu as kritikat ndaj ish-ministrave.
Kur ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin ishte duke folur për strategjinë e komunikimit, Elisa Spiropali, tashmë ish-ministre e këtij dikasteri ka nisur të qeshë.
Ky gjest i saj është parë nga ministrja Ismaili, e cila i është drejtuar me fjalët, “zonja Spiropali s’ke pse qesh”. Ish-ministrja e Jashtme i është përgjigjur me fjalën “urdhëro?”.
Spiropali mësohet se i ka thënë ministres Ismaili t’i kërkojë falje. Të njëjtat burime tregojnë se Rama i është drejtuar Spiropalit me fjalët: “Ti mos e hap gojën fare, fare. Ti një herë mos fol fare, të paktën në prezencën time. Nuk ndërhyn dot tek sa po flet Erjona”.
Përplasja mes ministres dhe ish-ministres nuk ka mbaruar me kaq, pasi Spiropali ka këmbëngulur në kërkimin ndjesë nga Ismaili.
Burimet thanë se në këtë moment ka ndërhyrë sërish kryeministri Rama, i cili i është drejtuar Spiropalit me fjalët: “mos më provoko të të nxjerr përjashtë”.
Situatën në fund e ka qetësuar Erion Braçe i ulur pranë Spiropalit. (Lexo të plotë)
Kësaj situate, socialistja Elisa Spiropali, i është përgjigjur me një postim në Facebook.
“Të dielë të bukur. Mbaje fytyrën nga drita dhe hijet mbeten pas”, shkruan Spiropali krahas fotos së saj të shkrepur në diell duke qeshur. (Lexo të plotë)
Po ashtu kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, u pyet rreth kësaj situate, ku u shpreh se në mbledhje kishte diskutime, po shtoi se kjo nuk mund të quhet përçarje brenda Partisë Socialiste.
“Nëse i referoheni thashethemeve unë nuk mund të komentoj thashetheme pa substancë politike. Nuk di çdo të thotë përçarje. Natyrisht ka diskutime. Orë të gjata diskutimi kemi patur dje dhe kjo besoj është e shëndetshme. Natyrisht që s’mund të quhet përçarje diskutimi.
Ne nuk jemi një formacion ushtarak pa mendime dhe pa frymë diskutimi dhe pa demokraci të brendshme por lëndoj që ju i referoheni disa thashethemeve të cilat s’kanë lidhje fare me substancën politike të zhvillimeve të brendshme të një partie politike. Këto janë thashetheme pa asnjë kontekst politik“, u përgjigj ai pas pyetjes “a ka përçarje brenda PS-së”. (Lexo të plotë)
Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, ka mësuar se nuk ka qenë vetëm Elisa Spiropali ajo që ka ngritur “temperaturën” e kësaj mbledhje duke u përplasur me Erjona Ismailin ministre për Marrëdhëniet me Parlamentit.
Dy burime nga Grupi PS treguan edhe dy episode të tjera ku janë bërë protagonistë dy deputetë të PS dhe vetë kryeministri Edi Rama. Episodi i parë ka qenë një tërheqja vëmendje ndaj Damian Gjiknurit.
“Damian leje telefonin se më shpërqëndron kur flas”, citohet të ketë thënë Edi Rama.
“Ok, s’ka asnjë problem”, është përgjigjur Gjiknuri, i cili më pas ka futur telefonin më xhep.
Nuk ka qenë vetëm Gjiknuri në atë mbledhje që ka prodhuar shqetësim tek Rama për përdorim telefoni.
“Boll o Ervin i çove mesazhe policëve”, i ka thënë Rama ish-ministrit të brendshëm Ervin Hoxha.
Episodi i dytë në mbledhje lidhet me protestën e banorëve të Rrjolit.
E ndërsa drejtoresha e Përgjithshme e Hipotekave, Lorena Goxhobelli, ka mbaruar prezantimin në pjesën e diskutime ka ndërhyrë kryeministri Edi Rama. Ka përcjellë një mesazh kritikues për deputetët socialistë të qarkut Shkodër.
“Nuk mund ti jepni zë disa personave që pretendojnë një pronë që nuk është e tyre. Ne kemi ngritur një grup pune nga ku na rezulton se s’kanë dokumente pronësie por letra të falsifikuara”, citohet te ketë thënë Rama dhe kërkuar distancim të deputetëve të tij nga kjo çështje. (Lexo të plotë)
Në mbledhjen e zgjeruar mes Grupit Parlamentar të PS dhe ministrave, kryeministri Edi Rama ka shprehur pakënaqësi për rezultatin e zgjedhjeve në Sarandë. Kritikat i ka adresuar ndaj deputetit të ri të qarkut Vlorë, Ardit Bido.
“Ardit, ti pate një mbështetje të fortë nga qendra, por nuk arrite pritshmëritë. Ti duhet të mësosh nga Damiani si të bëhesh i suksesshëm në zgjedhje”, citohet të jetë shprehur Rama.
Partia Socialiste fitoi me 4100 vota më shumë se partia Demokratike në zgjedhjet e vitit 2025. (Lexo të plotë)
Top Channel