“Dyfisho ndërmarrjen tënde”/ Qeveria sjell një program të ri, do t’i vijë në ndihmë bizneseve të vogla: Duhet të mbështetet nga një garanci sovrane

29/03/2026 13:03

“Dyfisho ndërmarrjen tënde” është programi më i ri, për të cilin aktualisht po punohet nga qeveria për t’u ardhur në ndihmë sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të cilat kërkojnë të zgjerojnë aktivitetin e tyre, por ndodhen në kushte pamundësie financiare për të ndërmarrë këtë hap.

Këtë projekt në përgatitje e sipër, Kryeministri e ndau në episodin e kësaj të diele të Podkastit “Flasim” të titulluar “S’ka si Shqipëria” me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të kompanive shqiptare me emër të konsoliduar tashmë në treg dhe të shtrira në vende të tjera të cilat ofrojnë modele të reja zhvillimi si shembuj të prekshëm të transformimit pozitiv, sipërmarrjet e të cilëve në thelb kanë një të përbashkët, mirëqenien dhe shëndetin e njeriut, konkretisht: Nerta Tushe biologe, sipërmarrja e së cilës vepron në fushën e kozmetikës, Argjent Goci që ka sjellë në Shqipëri makinat e para elektrike dhe Marjus Myzeqari, i cili merret me kërkim shkencor mbi konceptin ku shëndeti i njeriut nuk mund të ndahet nga shëndeti i natyrës.

“Jemi duke punuar për një program të ri, që unë e kam nxitur dhe besoj që shpejt do dalim në një konkluzion që është pikërisht një program për të mbështetur nivelin tjetër të ambicies së atyre që kanë hedhur një bazë dhe që janë në kushtet kur për arsye pamundësie financiare mundi t’i kenë gati gjërat, por nuk e bëjnë dot hapin tjetër dhe vazhdojnë të përpiqen të krijojnë kushte financiare”, u shpreh gjatë bashkëbisedimit kryeministri Rama, teksa theksoi se përmes instrumenteve të dedikuara dhe garancive sovrane, ky program pritet të lehtësojë aksesin në financim dhe të nxisë një fazë të re zhvillimi për bizneset shqiptare, duke kontribuar në rritjen ekonomike dhe krijimin e më shumë mundësive në vend.

“Programi do të duhet të ketë disa instrumente financiarë për t’i dhënë akses ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, që të rriten. Është një program që duhet të mbështetet nga një garanci sovrane, siç mbështesim ato sipërmarrjet në bujqësi, se mbështesim edhe pikërisht sipërmarrjet e vogla dhe të mesme me një instrument financiar ku shteti bëhet garant në forma të ndryshme, ku mund të hyjnë bashkitë me një pjesëmarrje në varësi nga natyra e ndërmarrjes”, informoi kryeministri Rama.

 

Top Channel