Debati mes ministres Ismailaj dhe Spiropalit në Grupin e PS, reagon Peleshi: S’jemi formacion ushtarak, kishte diskutime

29/03/2026 12:35

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi ka reaguar për debatin mes ministres Erjona Ismailaj dhe socialistes Elisa Spiropali pas debateve në Grupin parlamentar të PS-së.

Ai ka treguar se në mbledhje kishte diskutime, teksa shtoi se kjo nuk mund të quhet përçarje brenda Partisë Socialiste.

Pyetje: A ka përçarje në PS?

Niko Peleshi: Nëse i referoheni thashethemeve unë nuk mund të komentoj thashetheme pa substancë politike.  Nuk di çdo të thotë përçarje. Natyrisht ka diskutime. Orë të gjata diskutimi kemi patur dje dhe kjo besoj është e shëndetshme. Natyrisht që s’mund të quhet përçarje diskutimi. Ne nuk jemi një formacion ushtarak pa mendime dhe pa frymë diskutimi dhe pa demokraci të brendshme por lëndoj që ju i referoheni disa thashethemeve të cilat s’kanë lidhje fare me substancën poltike të zhvillimeve të brendshme të një partie politike. Këto janë thashetheme pa asnjë kontekst politik.

Lexo edhe: Zbardhet përplasja me dyer të mbyllura mes ministres Ismaili dhe Elisa Spiropalit. Ndërhyn Rama: Mos më detyro të…

Pjesë nga intervista e kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi: 

Niko Peleshi: Është e vërtetë që është krijuar komisioni për Reformën Territoriale Administrative, lajmi i mirë është që deri tani kemi një bashkëpunim mbipartizan edhe shpresoj që edhe produkti final të jetë një produkt i përbashkët pra të këtë dakordësi ne të dyja forcat politike sepse kjo do e bënte reformën më të qëndrueshme.

Nëse i referoheni varianteve që besoj kanë rrjedhur në media nga diskutimet e djeshme të Grupit parlamentar të PS, ku janë prezantuar disa mendime, propozime, variante nga anëtarët e PS në këtë komision unë nuk mund të nxitoj të them një vlerësim, natyrisht ka avantazhe dhe disavantazhe, por secili variant që kemi dëgjuar dje pra te deritanishme por edhe te varianteve qe mund te furnizohen në komision nga anëtarë të tjerë të komisionit që nuk janë anëtarë të grupit të partisë socialiste. E rëndësishme është që produkti final duhet të orientohet nga nevoja për të rritur eficencën e bashkive tona. Ka mënyra të ndryshme se si kjo arrihet, përmes harmonizimit të zonave rurale me zonat urbane.

Një gjë e mirë e reformës së vitit 2015 është që ne për herë të parë patëm bashki që janë edhe rurale dhe urbane, kemi përshembull në qarkun e Korçës ne kemi fushën e dytë më të madhe bujqësore në Shqipëri, siç ka qenë formula para 2015 me bashki urbane dhe komuna rurale nuk mund të shfrytëzonim ketë potencial, bëme një hop shumë te madh me bashkitë e ndërthurura urbane, rurale dhe kjo duhet patur parasysh për të gjithë vendin veçanërisht për qarkun tonë përsa i përket zonës se bujqësisë që formula të jetë një formulë që çliron sa më shume potencial dhe mundësi.

Unë mendoj që qarqet tona, bashkitë tona periferike pra jo të metropolit sot janë në një moment shumë të rëndësishëm reflektimi për shkak të tendencës së lëvizjeve migratore qe nuk mund t’i fshehim brenda vendit e kam fjalën, gjithmonë ka një tërheqje drejt metropolit, nuk është vetëm në Shqipëri është fenomen ndërkombëtar dhe i takon bashkive dhe pushtetit vendor të gjejë formulën se si të zhvillojë potencialet e veta te zhvillimit ne mënyrë që të mbajë popullsinë të lidhur me territorin.

– A ekziston rreziku që të kemi një reformë që orientohet drejt riorganizimit të votave dhe i jep avantazh partisë në pushtet?

Niko Peleshi: Absolutisht që nuk duhet të jetë në tavolinë ky faktor, faktori politik.  Unë nuk jam dakord që ky faktor ka qenë edhe në reformën e vitit 2014-2015 madje jam dëshmitar i asaj kohe, nuk ka patur një faktor të tillë dhe një formulë politike që ka orientuar reformën përveçse efiçencë. Besoj që ishte një hap shumë i morë përpara, një hap cilësor drejt arkitekturës së re të bashkive tona por siç e thashë ka gjithmonë dinamikë ndaj edhe ka ardhur koha për një reformë të re.  Uroj shumë dhe do të luaj edhe rolin që më takon si kryetar i Kuvendit për të mundësuar një klimë sa më pozitiviste ndonëse jo gjithmonë është e lehtë, është një nga sfidat më të mëdha do të thoja të atij pozicioni që të kemi një formulë bipartizane. Kjo do të shuante edhe paragjykimet për një formë të frymëzuar politikisht.

– Për bashkitë minoritare…

Niko Peleshi: Nuk jemi ende te një version përfundimtar dhe s’mund ta them unë dhe s’mund ta them tani dhe nuk e di por mund të konfirmoj që identiteti kulturor, etnokulturor gjuhësor është një nga elementet e rëndësishëm që duhet të merret dhe po merret në konsideratë nga komisioni i reformës.  Padyshim është një nga faktorët që duhet mbajtur parasysh për ne ai mozaik etnokulturor dhe gjuhësor është një vlerë, në rajonin tonë ne kemi minoritetin maqedonas i cili absolutisht është një vlerë për rajonin tonë që duhet ruajtur.

Top Channel