Daily Mail ka publikuar detaje të reja në lidhje me Ruben Saraivën, vrasësin me pagesë të biznesmenit Ardian Nikulaj, i cili u dënua nga Gjykata e Lezhës me burgim të përjetshëm.
Ruben Saraiva, i rritur në rrethinat e qeta të Londrës, sipas Daily Mail u kthye nga një djalë i qetë në një vrasës me pagesë për një familje kriminale shqiptare në Angli.
Sipas gazetës britanike, një burim nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve të Shqipërisë ka deklaruar për ta se Saraiva kërkon mbrojtje të rreptë, sepse ka marrë informacione se figurat e errëta të Mbretërisë së Bashkuar që financuan vrasjen e Nikulajt tani kanë vënë një shpërblim prej 500,000 euro për kokën e Saraivës, për të eliminuar rrezikun që ai të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë.
Saraiva, djali i dy prindërve portugezë, të dy njerëz të sjellshëm dhe punëtorë, thonë se janë të habitur nga ajo që i ndodhi djalit të tyre.
“Ne jemi njerëz të mirë, ne nuk jemi kriminelë. Edhe Rubeni është i tillë. Ai është një djalë fantastik. Ne jemi të shtangur”, kanë deklaruar disa burime familjare për Daily Mail.
Saraiva u zhvendos nga Portugalia në Mbretërinë e Bashkuar me të atin kur ishte katër vjeç.
Kur nëna e tij erdhi në Mbretërinë e Bashkuar katër vjet më vonë, ai jetonte midis babait të tij, i cili rrinte në periferi të Reading, Berkshire, dhe nënës së tij që u vendos në Lewisham, në juglindje të Londrës.
Fotot e siguruara nga Daily Mail shfaqin Saraivës në rininë e tij të veshur me kostum dhe kravatë.

“Ai është një djalë shumë i qetë dhe miqësor”, deklaruan disa të afërm.
Sipas gazetës britanike, kur Saraiva ishte fëmijë, ai madje nuk dilte as në rrugë pa lejen e nënës së tij.
Në moshën 17 vjeç, ai dhe një bashkëpunëtor i tij u kapën duke shitur kokainë dhe heroinë me një vlerë rruge prej më shumë se 600 paundësh në Wokingham. Saraiva mori një dënim me kusht në Gjykatën e Reading në vitin 2013 dhe më pas u kthye për të jetuar me nënën e tij.
Pas dënimit ai ndoqi kurse ndërtimi dhe elektricisti, si dhe filloi një praktikë pune, por ai u rikthye shumë shpejt në telashe pasi goditi me thikë një 17-vjeçar gjatë një sherri.
Familja e tij deklaroi se Saraiva bëri burg disa vite, pasi u dënua për plagosje me dashje, dhe ata besojnë se gjatë kohës që ishte pas hekurave ai pati kontaktin e parë me botën e krimit shqiptar.
“Ne nuk dinim që ai kishte miq shqiptarë. Miqtë e tij ishin anglezë”, u shprehën burime të afërta me familjen e Saraivës.
Gjykata e Lezhës ka dënuar me burgim të përjetshëm portugezin Ruben Saraiva, të akuzuar si ekzekutor i biznesmenit Ardian Nikulaj.
Ai u shpall fajtor për “vrasje me paramendim, kryer në bashkëpunim”, si dhe për “mbajtje pa leje të armëve”.
Sipas gjykatës, provat e administruara vërtetojnë se Saraiva është personi që qëlloi për vdekje Nikulajn, në një atentat të mirëorganizuar.
Nga hetimet rezulton se vrasja ishte porositur nga Edmond Haxhia, i cili kishte siguruar edhe bashkëpunimin e disa shtetasve britanikë, konkretisht Stephen Hunt, Thomas Mithan dhe Harriet Bridgeman, të arrestuar në Mbretërinë e Bashkuar si të dyshuar për përfshirje në krim.
Top Channel