Ka përfunduar procesi i numërimit të votave në Partinë Demokratike, Dega Elbasan, ku me shumicë votash është shpallur fitues Alis Narazani.

Partia Demokratike, Dega Elbasan, mbylli më herët procesin e votimit për zgjedhjen e kreut të ri të degës, ndërsa menjëherë pas kësaj nisi edhe numërimi i votave nga anëtarët e komisionit.

Në garë për drejtimin e degës ishin pesë kandidatë: Durim Çekrezi, i cili drejtonte përkohësisht degën pas largimit të Blendi Himçit; Elior Vila, pedagog; Lumturi Hasa, mjeke dhe ish-kandidate për deputete; Sokol Shkëlzeni, me eksperiencë të gjatë në strukturat e Partisë Demokratike; si dhe Alis Narazani, përfaqësues i një brezi më të ri politik.

Nga lista është hequr Drejtuesja e grupit në Këshillin Bashkiak, Doris Madhi; Rudina Alla, kryetare e forumit demokrat të Gruas; Zheni Gjergjit, pasi ajo u emërua drejtoreshë në Spitalin e Elbasanit dhe Alesia Balliu. Kjo e fundit ka shpallur publikisht ambicien për t’u regjistruar dhe për të kandiduar në garën për kreun e Partisë Demokratike, përballë Sali Berishës.

Me përfundimin e numërimit, Alis Narazani siguron drejtimin e Partisë Demokratike, Dega Elbasan, duke marrë besimin e shumicës së anëtarësisë. Në këtë proces morën pjesë 1208 anëtarë me të drejtë vote.

Top Channel