22 emigrantë vdesin afër Greqisë/ Humbën jetën pas gjashtë ditësh në det pa ushqim, ishin nisur nga Libia

29/03/2026 11:12

22 emigrantë kanë humbur jetën pranë brigjeve të Greqisë, pasi kishin mbetur për gjashtë ditë në det në një gomone që synonte Evropën.

Roja bregdetare greke ka bërë të ditur po ashtu se 26 persona të tjerë janë shpëtuar të premten nga një anije e agjencisë evropiane kufitare.

Dy prej të mbijetuarve janë dërguar për trajtim në Kretë.

Sipas autoriteteve, varka ishte nisur më 21 mars nga porti i Tobrukut në Libinë lindore, ndërsa kushtet e këqija të motit, mungesa e ushqimit dhe ujit kanë ndikuar në vdekjen e emigrantëve.

Roja bregdetare bëri të ditur se gjatë udhëtimit emigrantët humbën orientimin dhe mbetën të bllokuar në det për ditë të tëra pa furnizime.

Autoritetet greke kanë arrestuar dy persona nga Sudani Jugor, si të dyshuar për trafikim të qenieve njerëzore.

Shumica e të mbijetuarve janë shtetas nga Bangladeshi, ndërsa të tjerë nga Sudani i Jugut dhe Çadi.
Autoritetet ndërkombëtare kanë bërë të ditur se mbi 41 mijë emigrantë kanë mbërritur në Greqi përmes detit gjatë vitit 2025, ndërsa mijëra të tjerë kanë tentuar këtë rrugë edhe këtë vit.

Megjithatë, udhëtimet mbeten tejet të rrezikshme për shkak të motit, mbingarkesës së mjeteve lundruese dhe mungesës së pajisjeve të sigurisë, duke bërë që qindra persona të humbin jetën çdo vit në Mesdhe.

Top Channel