Shkencëtarët filmojnë momentin unik, balenat ndihmojnë njëra-tjetrën në lindje
Një ekip ndërkombëtar studiuesish ka dokumentuar një nga ngjarjet më të rralla në botën e kafshëve: lindjen e një balene në natyrë, pranë ishullit Dominika në Karaibe.
Ngjarja u regjistrua gjatë më shumë se pesë orëve, ku një balenë 19-vjeçare, e quajtur Rounder, solli në jetë të voglin e saj të dytë, e rrethuar nga anëtarë të tjerë të grupit. Ajo që e bën këtë rast të veçantë është fakti se balenat e tjera jo vetëm që qëndruan pranë, por ndihmuan aktivisht gjatë lindjes dhe menjëherë pas saj.
Studiuesit vëzhguan se femrat e tjera mbështetën trupin e të porsalindurit, duke e ngritur në sipërfaqe për ta ndihmuar të marrë frymën e parë.
Sipas kërkimeve, kjo është një nga rastet e rralla ku kafshët ndihmojnë njëra-tjetrën gjatë lindjes, një sjellje e njohur më parë vetëm tek primatët, përfshirë njerëzit.
Shkencëtarët regjistruan gjithashtu tinguj të ndryshëm gjatë momentit të lindjes, duke sugjeruar se balenat komunikonin për të koordinuar ndihmën dhe për të mbrojtur të porsalindurin.
Ky zbulim i ri hedh dritë mbi sjelljen sociale të balenave dhe tregon një nivel të lartë bashkëpunimi në botën nënujore.
Top Channel