Trump prezanton “OnlyFarms”, platformë dixhitale për fermerët mes një spektakli me traktor të artë në Shtëpinë e Bardhë

28/03/2026 16:50

Shtëpia e Bardhë ka zbuluar një iniciativë të re dixhitale të quajtur “OnlyFarms”, që synon të mbështesë fermerët amerikanë në një periudhë presioni ekonomik.

Gjatë një takimi me përfaqësues të sektorit bujqësor, presidenti Donald Trump njoftoi masa shtesë në mbështetje të prodhuesve, përveç paketës së ndihmës prej 12 miliardë dollarësh të shpallur pak ditë më parë.

Ngjarja u zhvillua në ambientet e Shtëpisë së Bardhë, ku rreth 800 fermerë dhe blegtorë, shumë prej tyre me kapele kaubojsh, morën pjesë në një takim simbolik. Në kopsht ishin parkuar disa traktorë, ndërsa një traktor i artë tërhoqi vëmendjen kryesore.

Duke komentuar mbi këtë detaj, Trump u shpreh me humor: “Është një traktor i bukur. Është një traktor i artë. Dikush më kishte mua në mendje”, duke shkaktuar të qeshura në sallë.

Presidenti amerikan iu drejtua të pranishmëve duke theksuar mbështetjen e tij ndaj komunitetit rural: “Ju votuat për mua. Nuk do ta harroj kurrë këtë”, deklaroi ai.

Platforma “OnlyFarms”, emri i së cilës të kujton OnlyFans, u bë menjëherë virale në rrjetet sociale, duke nxitur reagime të shumta satirike dhe komente humoristike.

Iniciativa shihet si një lëvizje politike për të forcuar lidhjet me votuesit ruralë dhe sektorin bujqësor, në një kohë kur fermerët përballen me rritje të kostove të prodhimit, si karburanti dhe plehrat kimike, si dhe pasiguri në tregtinë ndërkombëtare.

Përmes kësaj platforme, administrata synon të krijojë një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me fermerët dhe të theksojë masa mbështetëse si lehtësimi i taksave dhe reduktimi i barrës financiare për sektorin bujqësor.

Top Channel