Sipas Axios, takimi i ministrave të jashtëm të G7 u shoqërua me tensione serioze për shkak të qëndrimit të Perëndimit ndaj Russia dhe luftës në Ukraine.

Përballja mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian nxori në pah një klimë të theksuar mosbesimi mes aleatëve.

Në një moment të drejtpërdrejtë gjatë takimit, shefja e diplomacisë evropiane, Kaia Kallas, i kërkoi llogari Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, duke e pyetur se kur SHBA-të do të mbanin një qëndrim më të ashpër ndaj Moskës. Ajo kujtoi se një vit më parë Uashingtoni kishte paralajmëruar masa më të forta nëse Rusia nuk do të bashkëpunonte, duke theksuar se “asgjë nuk ka ndryshuar” që prej atëherë.

Sipas burimeve diplomatike, reagimi i Rubios ishte i ashpër dhe i drejtpërdrejtë. Ai u shpreh se SHBA-të po bëjnë gjithçka për t’i dhënë fund luftës dhe shtoi se, nëse evropianët besojnë se mund ta menaxhojnë situatën më mirë, mund të veprojnë edhe pa mbështetjen amerikane. Rubio theksoi gjithashtu se Uashingtoni po komunikon me të dyja palët, ndërsa vazhdon mbështetjen ushtarake dhe informative për Ukrainën.

Pas këtij shkëmbimi të tensionuar, ministrat evropianë ndërhynë për të zbutur situatën, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve diplomatike me përfshirjen e SHBA-ve. Në fund të takimit, Kallas dhe Rubio zhvilluan një bisedë të shkurtër private në përpjekje për të ulur tonet.

Megjithatë, pala amerikane e minimizoi incidentin, duke e cilësuar si një “shkëmbim të sinqertë pikëpamjesh”. Vetë Rubio mohoi publikisht se kishte pasur tension, duke këmbëngulur se takimet e tilla karakterizohen nga bashkëpunim dhe respekt i ndërsjellë.

Ndërkohë, kryeqytetet evropiane mbeten të kujdesshme ndaj rolit të SHBA-së në përpjekjet për paqe mes Ukrainës dhe Rusisë. Kriza në Lindjen e Mesme dhe fokusi në rritje i Uashingtonit ndaj Iranit kanë shtuar shqetësimet se çështja e Ukrainës mund të lihet në plan të dytë, ndërsa përparimi diplomatik mbetet i kufizuar.

Top Channel