Kalimi me kamion nga Belgjika në Angli, si ka ndryshuar çmimi ndër vite/ Dënohen tre trafikantët në Londër, dy prej tyre shqiptarë

28/03/2026 15:26

Megjithëse Shqipëria prej vitin 2023 konsiderohet nga qeveria angleze si një vend i sigurt pa mundësi azil kërkimi prej qytetarëve shqiptarë, kjo nuk e ka ndalur trafikun e shqiptarëve drejt Britanisë së Madhe.

Nëse gjatë viteve 1997-1998 kur nisi edhe valla e parë e mbërritjes të Shqiptarëve drejt vendit ishull,  ata paguanin për një vend në kamion jo më shumë se 2000 dollarë, sot çmimet për një vend në pjesën e pasme të një kamioni që niset nga Spanja, Franca apo Belgjika drejt Anglisë varjon nga 11.000 deri 20.000 stërlina.

Sipas policisë metropolitane në Londër të cilës i referohet Top Channel tre anëtarë të një rrjeti trafiku njerëzish me bazë në Londër, të cilët merrnin 11,000 paund për person për ti sjellë, në Mbretërinë e Bashkuar me kamionë nga Belgjika,  janë gjetur fajtorë në gjykatën Southwark Crown Court.

Toni Liko, 42 vjeç nga Wembley u dënua me pesë vjet e tetë muaj bashkëpunëtori i tij shqiptari Klement Gjika, 44 vjeç nga Islington në veri të Londrës,  u dënua me pesë vjet e tetë muaj.

Toni Liko

Klement Gjika

Ndërsa shoferi rumun 37-vjeçari  Stelian Bodnari u dënua me tre vjet e katër muaj.

Stelian Bodnariu

Gjatë hetimit, oficerët e Policisë Metropolitane  zbuluan nga kamerat CCTV, se emigrantët nga pjesa e pasme e kamionëve, transferoheshin në automjete të tjera para se të dërgoheshin në Londër.

Hetimet zbuluan se 20 shtetas shqiptarë janë sjellë në Londër përmes këtij grupi kriminal gjatë 18 muajve që ata vepruan.

Megjithatë, në të vërtetë numri shqiptarëve të trafikuar nga treshja Liko, Gjika dhe Bodnari sipas policisë Metropolitane është shumë më e madhe.

Ata u vunë para drejtësisë pasi oficerët ndoqën automjetet, kontrolluan kamerat  CCTV-në në stacionet e shërbimit të karburanteve dhe përdorën survejim për të identifikuar drejtuesit e rrjetit.

Pasi u arrestuan, analiza e telefonave zbuloi komunikim midis trafikantëve dhe shoferëve të kamionëve, që organizonin pikën e takimit dhe transferimet.

Disa ditë më parë gazeta The Telegraph publikoi një shkrim me titull “Shitësit shqiptarë të drogës pretendojnë se janë skllevër për të evituar dëbimin.

Charles Hymas editori i çështjeve të brendeshmë në këtë gazetë shkruan se: “Shqiptarët e dënuar për shitje droge apo si punëtorë në shtëpitë ku rritet kanabis ndërmarrin apele në gjykatat e emigracionit për të bllokuar dëbimin, duke përdorur ligjin e të drejtave të njeriut, me argumentin se ata janë skllavëruar prej grupeve kriminale të përfshira në shitje kokaine”.

Top Channel