Propozimi i paqes me 15 pika kyçe, Sekretari amerikan i Shtetit: SHBA pret në çdo moment përgjigjen e Iranit për propozimin e paqes
Departamenti i Thesarit Amerikan ka njoftuar se Donald Trump do të bëhet presidenti i parë në detyrë i SHBA-së që do të ketë firmën e tij në kartëmonedhat amerikane, në një lëvizje që përkon me 250-vjetorin e pavarësisë së vendit.
Sipas njoftimit, firma e Trump do të shfaqet së bashku me atë të Sekretarit të Thesarit, Scott Bessent, duke shënuar një ndryshim nga praktika tradicionale ku kartëmonedhat mbajnë vetëm nënshkrimet e zyrtarëve të Thesarit.
Kartëmonedhat e para prej 100 dollarësh me firmat e tyre pritet të shtypen në muajin qershor.
Ky vendim përfaqëson një precedent të ri në historinë monetare të SHBA-së, pasi që nga viti 1861, kartëmonedhat kanë mbajtur vetëm firmat e zyrtarëve të Thesarit dhe jo të presidentit në detyrë. Aktualisht, kartëmonedhat në qarkullim mbajnë firmat e ish-Sekretares së Thesarit Janet Yellen dhe të Thesaristes Lynn Malerba.
Autoritetet e Thesarit e kanë justifikuar këtë ndryshim si pjesë të përkujtimit të 250-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së SHBA-së, kur 13 kolonitë amerikane u ndanë nga Mbretëria e Bashkuar.
Zyrtarët kanë theksuar se monedha do të vazhdojë të mbetet një simbol i forcës dhe prosperitetit të vendit.
Megjithatë, vendimi ka nxitur reagime politike. Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, kritik i kahershëm i Trump, e ka përdorur njoftimin për të sulmuar politikat ekonomike të administratës, duke pretenduar se qytetarët përballen me rritje të kostove të jetesës.
Top Channel