U arrestuan pas përshkallëzimit të tensioneve në protestën e PD-së, Gjykata e Tiranës liron nga burgu 15 protestuesit

25/03/2026 14:26

Gjykata e Tiranës ka marrë vendimin për 15 protestuesit që u arrestuan gjatë demonstratës së PD-së që u mbajt të dielën.

Pas dy orësh e gjysmë në seancë me dyer të mbyllura, Gjyqtarja e Masave të Sigurimit Personal vendosi t’i lirojë të 15 protestuesit e arrestuar.

Ndaj tyre u shpall masa e detyrimit me paraqitje.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, raporton se gjatë masës ndaj protestuesve që morën pjesë në protestën e 22 marsit, në ambientet e jashtme të gjykatës qëndruan deputetë të PD, familjarë dhe mbështetës.

15 persona u arrestuan dhe 9 të tjerë u vunë nën hetim në gjendje të lirë pas protestës së organizuar nga Partia Demokratike më 22 mars.

Policia ka nisur procedimin penale edhe për deputetin demokrat Klevis Balliu, pas protestës që përshkallëzoi në tensione mbrëmjen e djeshme.

Sipas autoriteteve, gjatë protestës u hodhën molotovë dhe fishekzjarre në drejtim të institucioneve, si Kryeministria, Ministria e Infrastrukturës dhe zona pranë Bankës së Shqipërisë, ku ndodhet edhe selia e Partia Socialiste.

Mes personave të shoqëruar nga policia ka pasur edhe të mitur, të cilët janë lënë të lirë pas procedurave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB