U zgjodh kryetar i ri i Bashkisë së Parisit, Emmanuel Grégoire feston duke bërë xhiro me biçikletë: Kam shumë punë, do të filloj që nesër

23/03/2026 10:34

Socialisti Emmanuel Grégoire është zgjedhur kryetar bashkie i Paris, duke mposhtur kandidaten e djathtë Rachida Dati me rreth 52% të votave.

Ai premtoi vazhdimësi të politikave mjedisore dhe sociale të ndjekura nga paraardhësja e tij, Anne Hidalgo.

Për të shënuar fitoren, Grégoire bëri një xhiro simbolike me biçikletë së bashku me këshilltarët e rinj të bashkisë në Paris, mbrëmjen e së dielës, duke theksuar angazhimin për politikat pro-çiklizmit dhe mbrojtjen e mjedisit.

“Ka shumë për të bërë dhe do të fillojmë nesër në mëngjes”, deklaroi deputeti socialist, i cili ka një karrierë të gjatë në Bashkinë e Parisit dhe ka bashkëpunuar ngushtë me Hidalgo.

Zgjedhjet lokale nxorën në pah edhe një performancë të dobët të partisë së ekstremit të djathtë Rassemblement National, të udhëhequr nga Marine Le Pen, e cila nuk arriti të fitojë qytete kyçe si Marseille dhe Toulon. Në Marseille, kryebashkiaku Benoît Payan ruajti postin falë një koalicioni të majtë.

Ndërkohë, Édouard Philippe u rizgjodh kryetar bashkie në Le Havre dhe pritet të shpallë kandidaturën e tij për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027. Nga ana tjetër, një fitore e rëndësishme për kampin e djathtë erdhi në Nice, ku Éric Ciotti arriti të fitojë bashkinë.

Më shumë se 1,500 qytete dhe qyteza votuan në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të dielën,  zgjedhje që u konsideruan si një test i rëndësishëm politik përpara zgjedhjeve presidenciale në Francë. Rezultatet tregojnë një rezistencë të fortë të së majtës në qytetet kryesore, por edhe një prani dhe rritje graduale të së djathtës ekstreme në nivel lokal.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB