Qeveria shqiptare ka prezantuar paketën e projekteve prioritare që përcakton drejtimin e vendit deri në vitin 2030.
Përmes Dokumentit të Politikave Prioritare (DPP) dhe Listës Unike të Projekteve, zbulohet harta financiare dhe strategjike për 114 projekte, me një buxhet rreth 7.38 miliardë euro. Qëllimi kryesor i këtij programi është përshpejtimi i integrimit në Bashkimin Evropian përmes zhvillimit të një ekonomie digjitale dhe të gjelbër.
Një pjesë dominuese e fondeve është orientuar drejt infrastrukturës, ku sektori i transportit përbën fokusin kryesor. Hekurudha Durrës-Prishtinë, me një vlerë prej 750 milionë eurosh, konsiderohet projekti më strategjik i dekadës, duke lidhur dy ekonomitë shqiptare dhe duke ulur ndjeshëm kostot e transportit.
Linja është parashikuar të ketë 137 kilometra në Shqipëri, me sfida teknike në segmentin Miliot- Morinë për shkak të terrenit malor, ku do të ndërtohen tunele dhe ura. Ndërkohë, segmenti rrugor Milot-Balldren kushton 213 milionë euro, ndërsa zgjerimi i autostradës Tiranë–Durrës shkon në 298 milionë euro.
Faza e parë e projekteve rrugore, me një vlerë prej 390 milionë eurosh, synon të zhvendosë aktivitetin tregtar drejt porteve të integruara, duke përfshirë Portin e Durrësit dhe Portin e ri në Porto-Romano, që e bëjnë Shqipërinë dhe Kosovën një njësi logjistike të bashkuar dhe forcojnë rolin e tyre në tregun rajonal.
Sektori energjetik përfshin investime të mëdha, ku hidrocentrali i Skavicës është projekti më i kushtueshëm me 800 milionë euro. Ai shoqërohet nga plane për fotovoltaikët në Belsh dhe matës inteligjent energjie me një kosto totale prej 330 milionë eurosh. Po ashtu, siguria publike po modernizohet përmes projektit “Smart City” të Ministrisë së Brendshme, me vlerë 134.4 milionë euro, që përfshin instalimin e sistemeve inteligjente të kamerave për monitorimin e krimit dhe trafikut në kohë reale.
Në arsim, 220 mijë nxënës do të përfitojnë tekste falas, ndërsa rrjeti i laboratorëve Smart Labs ka një investim prej 40 milionë eurosh. Ndërkohë, ndërtimi i kampusit të ri të Universitetit të Tiranës ka një vlerë prej 166 milionë eurosh. Në shëndetësi, planifikohet një shtesë prej 1.5 miliardë lekësh për barnat onkologjike dhe mbulimi i shërbimeve të reja spitalore si trombektomia. Mbrojtja sociale mbetet një nga zërat kryesorë të buxhetit, duke financuar pensionet, bonuset e lindjes dhe ndihmën ekonomike për 59 mijë familje.
Reforma në administratën publike për periudhën 2025–2030 synon të krijojë një trupë më efikase dhe të motivuar nëpunësish, përmes “Paketës së Motivimit” që përfshin orare fleksibël dhe rritje pagash.
Top Channel