“Shqipëria 2030”, si ndahet “torta” e 114 projekteve me 7.38 miliardë euro, infrastruktura merr pjesën më të madhe

23/03/2026 22:17

Qeveria shqiptare konkretizon paketën e projekteve, që do të finalizojnë qëllimin madhor të kabinetit “Rama 4”, të cilësuar si “Shqipëria 2030”.

Nga ekonomia, te transporti dhe energjia, janë në total 114 projekte prioritare, në të gjitha fushat me rëndësi për vendin, që parashikohet të zbatohen përgjatë viteve 2027-2029. Me një vlerë totale në rreth 7.38 miliardë euro, Dokumenti i Politikave Prioritare, i publikuar në Fletoren Zyrtare, zbulon hartën e rrugës financiare dhe strategjike, me fokusin kryesor tek infrastruktura, ku do të investohet shuma më e madhe.

I orientuar drejt ndërlidhjes rajonale, transporti është sektori që do të thithë investimet më të mëdha nga fondi i parashikuar për arritjen e objektivit “Shqipëria 2030”. Ndërtimi i linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë konsiderohet projekti më strategjik i dekadës, me një kosto prek 750 milionë eurosh, dhe synon të lidhë dy ekonomitë shqiptare në një linjë moderne.

Ky investim synon të transformojë rrënjësisht mënyrën se si lëvizin njerëzit dhe mallrat midis dy vendeve. Hekurudha do të shërbejë si një urë lidhëse që shkurton distancat dhe ul kostot e transportit me mbi 50% krahasuar me rrugët tokësore.

Projekti i dytë më i shtrenjtë në sektorin e transportit do të jetë ndërtimi i segmentit Poçem-Memaliaj, që do të kushtojë 597 milionë euro, i ndjekur nga rehabilitimi i hekurudhws Rrogozhinw-kufi me Maqedoninw e Veriut, nw vlerwn e 451 milionw eurove.

Në listë janë edhe zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës me vlerë 298 milionë euro, apo ndërtimi i segmentit nga Milot-Balldren, me vlerë 213 milionë euro, që kalon në një terren të vështirë malor dhe kërkon ndërtimin e tuneleve dhe urave të shumta, por dhe shumë rrugë të tjera, që synojnë ta kthejnë Shqipërinë në një nyje kryesore të tranzitit evropian.

Listën e 114 projekteve e kryeson hidrocentrali i Skavicës, si investimi më i shtrenjtë me 800 milionë euro, një vepër energjetike që planifikohet të ndërtohet në Skavicë të Kukësit, në lumin Drini i Zi, ku parashikohet ngritja e një dige me lartësi 147 metra. Gjithashtu, parashikohen edhe shumë projekte të tjera në sektorin e energjisë, si termocentrali në Vlorë apo fotovoltaikët në Belsh, si dhe matësit e zgjuar të energjisë, ku ky i fundit kap vlerën e 330 milionë eurove.

“Shqipëria 2030” nuk parashikon vetëm rrugë dhe hidrocentrale, por një angazhim edhe në sektorët humanë, si arsimi, shëndetësia dhe mbrojtja sociale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB