Mbërrin në bazën detare të Sudës në Kretë “USS Gerald R. Ford”, aeroplanmbajtësja amerikane me energji bërthamore më e madhe në botë

23/03/2026 14:43

Aeroplanmbajtësja amerikane me energji bërthamore “USS Gerald R. Ford”, më e madhja në botë, mbërriti në bazën detare të Sudës në Kretë, pas një periudhe të gjatë operacionale në Lindjen e Mesme.

Siç raporton korrespondenti i Top Channel Aleksandër Marku, anija hyri në bazën në zonën e Marathi, në Hania, rreth orës 10 të mëngjesit, nën masa të rrepta sigurie.

Sipas informacioneve, kësaj here nuk do të lejohet dalja e zakonshme e ekuipazhit në qytet për arsye sigurie, ndërsa prania e anijes lidhet me zhvillimet e fundit në rajon dhe me operacionet e SHBA-ve kundër Iranit. Autoritetet amerikane po hetojnë gjithashtu një zjarr që shpërtheu brenda aeroplanmbajtëses, i cili shkaktoi dëme dhe plagosi disa marinarë.

“USS Gerald R. Ford” ka qenë në det për rreth nëntë deri në dhjetë muaj, shumë më gjatë se misionet e zakonshme gjashtëmujore, duke mbështetur operacionet ushtarake në Mesdheun Lindor dhe në Detin e Kuq. Pas incidentit dhe dëmtimeve të pësuara, anija u drejtua drejt Kretës për kontrolle dhe riparime teknike.

Ende nuk është bërë e ditur se sa kohë do të qëndrojë në bazën e Sudës, por sipas burimeve pritet që pas përfundimit të punimeve të rikthehet në Shtetet e Bashkuara. Mbërritja e saj në Kretë konsiderohet me rëndësi strategjike, duke nënvizuar edhe një herë rolin kyç të bazës së Sudës për operacionet e NATO-s dhe të SHBA-ve në rajon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB