Izraeli gati për luftë të zgjatur, Irani sfidon Trump: Do minojmë të gjithë Hormuzin

23/03/2026 12:11

Teherani iu përgjigj ultimatumit të Donald Trump me kërcënimin se tani, do te minoje krejtësisht Ngushticën e Hormuzit.

“Këtë herë, së bashku me ngushticën e Hormuzit, i gjithë Gjiri Persik do të bllokohet praktikisht, dhe përgjegjësia për këtë do të bjerë mbi palën kërcënuese: Kjo është hakmarrja e paralajmëruar nga Gardianët e Revolucionit, apo Pasdaranët, siç njihen ndryshe, nëse presidenti amerikan urdhëron vërtet bombardimin e centraleve elektrike iraniane me skadimin e afatit që përfundon sot.

“Do të nisim nga centrali më i madh”, kishte shkruar Trump në rrjetin e tij social Truth Social.

“Kjo do të funksionojë, me Iranin që përballet me shkatërrimin total”, përsëriti ai mbrëmjen e së dielës. Strategjia e ndjekur nga kreu i Shtëpisë së Bardhë u përshkrua nga Sekretari i Thesarit, Scott Bessent në një intervistë për NBC si “ rrit trysninë që të ulësh tensionin”.

Që do të thotë, të lëshosh deklarata të forta për të frikësuar kundërshtarët, me rrezikun e të qenit i detyruar të përdorësh bomba nëse armiqtë rezistojnë.

Por në ekuacionin e frikësimit që secila palë po përpiqet të vendosë në këto tre javë lufte, Rojet Revolucionare paralajmërojnë se “do të godasin burimet energjetike” të vendeve të Gjirit me fuqinë e raketave dhe dronëve ushtarakë të regjimit.

Lindja e Mesme, paralajmërojnë mediat e huaja, rrezikon të zhytet kështu në errësirën e një konflikti gjithmonë e më shumë jashtë kontrollit.

Për frenimin e një skenari të tillë, Teherani paraqet gjashtë kushte sipas agjencisë Tasnim: Ai pretendon mes të tjerash mbylljen e bazave amerikane në Lindjen e Mesme, kërkon garanci që të mos sulmohet më, një sistem të ri për Hormuzin (ku të sigurojë pagesa për kalimin) dhe ekstradimin e gazetarëve anti-iranianë.

Të gjitha kërkesa konsiderohen të papranueshme, jo vetëm për SHBA por edhe Izraelin, që njoftoi se pret zgjatje të luftës.

Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), Gjenerali i Brigadës Effie Defrin, deklaroi se po përgatiten për javë të tëra lufte kundër Iranit dhe Hezbollahut në Liban, ndërsa shprehu bindjen se cdo ditë që kalon, regjimi i ajatollahëve dobësohet gjithmonë e më shumë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB