Opinion/ Nga “Gardhi i Mirë” në fole terrori: Pse Libani u bë një front i dytë i Iranit?
Nga Denion Meidani*
Ka një intensitet të çuditshëm në mënyrën si flitet për marrëdhënien Shqipëri–Kosovë kohët e fundit. Një zhurmë e vazhdueshme, shpesh e ngarkuar emocionalisht, ku faktet zëvendësohen lehtësisht nga perceptimet, ndërsa analiza nga etiketimet. Në disa raste, energjia dhe koordinimi i kësaj vale kritikash të bëjnë të mendosh se nuk kemi të bëjmë thjesht me debat spontan, por me narrativa të ndërtuara që, me vetëdije ose jo, dëmtojnë një nga marrëdhëniet më të rëndësishme që kemi si komb. Askund nuk është kjo më e zellshme dhe e vetëvullnetshme se kur bëhet fjalë për shfryrje ndaj Kryeministrit të Shqipërisë.
Ironia më e madhe? Shumë nga këto narrativa artikulohen në shqip. Në një kontekst të tillë, bëhet e domosdoshme të rikthehet qartësia analitike dhe të vendosen dallime të sakta midis perceptimit dhe realitetit.
Kryeministri i Shqipërisë nuk ka nevojë për mbrojtje, madje e refuzon atë. Nuk ka nevojë për ndonjë avokat. Gjithkush e di ose ka pasur rastin ta vërtetojë se ai, çfarë ka në mendje e thotë, hapur e në mënyrë të drejtpërdrejtë, ose siç e bën shpesh ‘sy më sy”. Nuk kërkon “like” e as lëvdata dhe nuk i shmanget as bisedës e as debatit, edhe kur “zihet” me të panjohur të cilët i ka ftuar në bashkëbisedim. Nuk druhet e as kompleksohet kur takon të ngjashmit e të mëdhenjtë në botë, në Bruksel apo tjetërkund. E kur ekipi i tij i thotë se duhet reaguar për këtë apo atë, ai i zmbraps me një të lëvizur të dorës, sikur po i fshinte fizikisht gjurmët e shkronjave kundër tij, të rreshtuara keq e fjalëve të bashkuara gabim e me nxitim. Por, kur pretendimet bëhen sistematike dhe shkëputen nga realiteti, është e nevojshme të rikthehemi te faktet.
Kështu është me një shkrim të një portali sot, në Maqedoninë e Veriut, ku dikush, një nga ato penat e fshehura pa emra e as firma, por vetëm me fjalë plot vrer, numëronte me zell sa herë “Edi Rama (paskësh) ndërhyrë brutalisht kundër Kosovës dhe pse ai është armik i saj!” Plot 10 pika, që nga koha e Bashkisë së Tiranës e deri te fantazia e fundit që ngriti prej hiçit tymnajën se një ministre në detyrë, qytetare shqiptare për më tepër, na qenkësh ndaluar të hynte në Shqipëri. Zoti i ruajtë, edhe sepse dinë çfarë bëjnë.
Ndër argumentet e përdorura është edhe ai që lidh akte kulturore me qëndrime politike “anti-Kosovë”. Kjo është, në thelb, një keqkuptim — ose një keqpërdorim — i qëllimshëm. Diplomacia moderne përdor kulturën si urë komunikimi, jo si instrument për të dhënë verdikte ideologjike. Të reduktosh figura artistike si Goran Bregović, Ivo Andriç apo Emir Kusturica në etiketa politike lineare është jo vetëm intelektualisht e varfër, por edhe historikisht e pasaktë. Debatet akademike, madje edhe ato kontroversiale mbi këto figura, ekzistojnë dhe janë legjitime, por ato nuk mund të përdoren si prova për narrativa politike të gatshme. Kjo është një rrëshqitje e rrezikshme: nga kultura te propaganda.
Një tjetër narrativë e ricikluar është ajo e “Jugosllavisë së re”. Tingëllon fort, por nuk qëndron askund në realitet. Nuk ka asnjë dokument, asnjë projekt, asnjë kornizë që ta mbështesë këtë pretendim. Tjetër gjë janë nismat rajonale — pavarësisht debateve që mund të ngjallin — të cilat kanë një qëllim të qartë: më shumë ekonomi, më shumë lidhje, më shumë stabilitet. T’i paraqesësh ato si projekte hegjemoniste është një zgjedhje politike, jo një përfundim analitik.
Shumë zhurmë është bërë edhe për diskutime të së shkuarës, përfshirë të ashtuquajturin shkëmbim territorial. Pikë së pari: këto nuk kanë qenë ide të Shqipërisë, as të Kryeministrit. Kanë qenë pjesë e një momenti të caktuar ndërkombëtar, ku aktorë me peshë e me ndikim kanë eksploruar opsione, siç bëjnë ditë e natë në kërkim të zgjidhjeve më të favorshme për probleme komplekse. Diplomacia funksionon kështu: duke testuar skenarë, shumë prej të cilëve nuk shohin kurrë dritën e diellit. Të pretendosh të kundërtën, e për më tepër t’ia vësh këtë Kryeministrit të Shqipërisë, është të mos kuptosh se si funksionon politika ndërkombëtare — ose të zgjedhësh ta injorosh atë.
Një tjetër tendencë shqetësuese është atribuimi i zhvillimeve politike në Kosovë faktorëve të jashtëm, madje individualë. Kjo është jo vetëm e pasaktë, por edhe e padrejtë. Kosova është një demokraci funksionale me dinamikat e saj politike, me rivalitete, me debate dhe me sfida. Kjo është normale. Ta lidhësh këtë me ndikime të jashtme është të shmangësh thelbin e çështjes. Mobiliteti Shqipëri–Kosovë s’ka lidhje me emra të përveçëm e as skenarë të veçantë. Është thjesht zgjedhje, diçka që me aq mund e kemi fituar si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë.
Ka plot trillime të tjera që nuk meritojnë vëmendje, por ajo që është më therëse është se në këto debate, ajo që mungon më shumë është qetësia, argumenti dhe, sidomos, faktet. Qëllimshëm kjo, sepse faktet nuk i shërbejnë gjithmonë narrativës.
Fakti është se Shqipëria ka qenë gjithnjë një nga mbështetëset më të qëndrueshme të Kosovës në çdo front, dje dhe sot. Dhe kushdo që e di se si funksionon shteti, duhet ta dijë se kjo, e asnjë prej sa më poshtë, nuk do të ndodhte nëse nuk do të ishte pozicionimi, dëshira dhe udhëzimi i të parit të ekzekutivit, Kryeministrit të Shqipërisë.
Edhe pse kushdo është i lirë të artikulojë e të shkruajë pa teklif, për hir të së vërtetës, kur flasim për bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk mund të mos kemi parasysh:
Kush ishte ai që mori rrugën, pas dekadash mungese, shkoi mu në zemër të Beogradit dhe në vatrën e tij i bëri thirrje Presidentit të vendit, i cili nuk po u besonte veshëve, që të njihte Kosovën, në një kohë që kjo mund edhe t’i rrezikonte kokën?
Kush ishte ai që, si askush tjetër, më shumë, më shpesh e më zëshëm sesa vetë autoritetet e Kosovës, ka ngritur zërin në Asamblenë e Përgjithshme në OKB, në Strasburg dhe në Bruksel, në mënyrë të përsëritur e pandalur, për të mbrojtur luftën dhe sakrificën e UÇK-së për lirinë që gëzon sot Kosova? Fjalimet dhe deklarimet janë publike për këdo që do t’i lexojë apo rilexojë.
Kush ishte ai që inicioi praktikën e mbledhjeve të përbashkëta mes dy qeverive, për të koordinuar veprimet, iniciativat, planet e zhvillimit? Dhjetëra marrëveshje të nënshkruara prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve: nga arsimi te ekonomia, nga energjia te administrata. Projekte si dogana në port dhe hekurudha Durrës–Prishtinë nuk janë slogane, por investime strategjike në të ardhmen e përbashkët. Abetarja e unifikuar dhe njohja reciproke e diplomave janë hapa konkretë drejt integrimit kombëtar në praktikë.
Kush ishte ai që inicioi bashkëpunimin tripalësh: Shqipëri, Kroaci, Kosovë, në fushën e mbrojtjes, për t’i dhënë Kosovës jo vetëm ndihmë e asistencë, por edhe siguri që ajo nuk është e nuk do të jetë vetëm? Kushdo që mendon se kjo nuk është bërë pa udhëzimin dhe kujdesin e veçantë të Kryeministrit Rama, nuk di ABC-në e qeverisjes.
Kush ishte ai që e udhëzoi në mënyrë të posaçme Misionin e Shqipërisë në OKB gjatë mandatit në Këshillin e Sigurimit që, në çdo rast e rrethanë, përpos çështjeve të tjera ndërkombëtare, përparësi të kishte — siç edhe ka qenë fakt botërisht i njohur — Kosovën dhe interesat tona kombëtare? Po ashtu edhe në Bruksel, në çdo forum ndërkombëtar, çështja e Kosovës ka qenë pjesë e pandashme e qëndrimeve shqiptare.
Nëse Shqipëria ka lobuar pa ndërprerje për njohjet dhe për forcimin e subjektivitetit të Kosovës, kjo bëhet me udhëzime të qarta të qeverisë. Ata që pretendojnë, pa iu dridhur qerpiku e pa asnjë bazë, se Kryeministri ka udhëzuar ambasadat të punojnë kundër Kosovës, apo të ndalojnë këtë apo atë të vijë në Shqipëri, mund të rrinë e të vazhdojnë të shkruajnë duke ngjyer penën në turpin, papërgjegjshmërinë dhe marrëzinë e tyre.
Një nga keqkuptimet më të mëdha është ideja se marrëdhëniet dhe dialogu me Serbinë apo komunikimi rajonal përbën dobësi. Në realitet, është e kundërta. Dialogu është instrument. Është mënyra se si ndërtohet paqja, si ulen tensionet dhe si hapet rruga për zgjidhje afatgjata. Kjo nuk është shpikje shqiptare — është standard euroatlantik. Dhe pikërisht për këtë Shqipëria është vend pararojë në rajon për bashkëpunimin, paqen dhe sigurinë. Na e imponon angazhimi kombëtar, por edhe pjekuria e shtetit 114-vjeçar që ka parë gjithçka në historinë e vet të trazuar për të ardhur në ditën e sotme, për të qenë në tryeza të mëdha për të mirën e përbashkët.
Prandaj duhet më shumë përgjegjësi, më pak zhurmë. Debati publik është i shëndetshëm, por vetëm kur mbështetet në fakte. Kur kthehet në garë etiketash dhe akuzash, ai humbet funksionin e tij.
Askush në Shqipëri e në Kosovë nuk mund të ketë luksin të ushqejë narrativa që na ndajnë. Dy vendet tona kanë nevojë për më shumë koordinim, më shumë besim dhe më shumë realizëm. Sepse në fund të ditës, marrëdhënia mes nesh nuk është çështje perceptimi. Është realitet strategjik dhe dëshirë e qytetarëve në të dy anët e kufirit.
Dhe ky realitet është shumë më i fortë se çdo narrativë përçarëse.
*Ambasador i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut
Top Channel