Robotët do të na hyjnë në shtëpi/ Kina teston “amvisat” e teknologjisë, punët e përditshme të shtëpisë mund t’i bëjnë ata

21/03/2026 15:37

Robotët inteligjentë po hyjnë gjithnjë e më shumë në jetën e përditshme, duke kaluar nga laboratorët drejt shtëpive dhe bizneseve.

Por ndërsa teknologjia avancon me ritme të shpejta, po shtohen edhe shqetësimet për sigurinë dhe kontrollin e tyre.

Në vendet aziatike, kompani të mëdha teknologjike kanë nisur testimin e robotëve humanoidë që mund të kryejnë punë të përditshme si pastrimi, organizimi i ambienteve apo ndihma në shtëpi.

Këta robotë përdorin inteligjencë artificiale të avancuar, e cila u lejon të kuptojnë komandat me zë dhe të marrin vendime në kohë reale, duke mësuar nga ambienti përreth.

Madje, në disa qytete janë nisur edhe projekte pilot, ku robotët përdoren për shërbime pastrimi në banesa, duke punuar paralelisht me njerëzit për të rritur efikasitetin.

Por zhvillimi nuk ka ardhur pa probleme. Një incident i bërë viral ditët e fundit, ku një robot humanoid në një ambient publik doli jashtë kontrollit dhe krijoi panik te klientët, ka rihapur debatin mbi sigurinë e këtyre teknologjive.

Shqetesimi eshte se ndërsa robotët bëhen më të avancuar, rritet edhe rreziku që ata të marrin vendime të paparashikuara, apo të kenë akses në të dhëna personale të përdoruesve.

Nga ana tjetër, kompanitë teknologjike theksojnë se këto janë faza testimi dhe se sistemet do të përmirësohen me standarde më të larta sigurie.

Ndërkohë, investimet globale në robotikë po rriten ndjeshëm, duke e kthyer këtë sektor në një nga më të rëndësishmit për të ardhmen.

Robotët humanoidë pritet të bëhen pjesë e zakonshme e jetës së përditshme, duke ndryshuar mënyrën se si njerëzit jetojnë dhe punojnë.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB