I kërkuar nga GJKKO për mashtrim nëpërmjet ‘call center’/ Ekstradohet 35-vjeçari shqiptar nga Gjermania, i dënuar më herët ‘arrest me burg’
Partia Popullore Europiane (PPE) ka dorëzuar në Parlamentin Europian 26 amendamente në raportin e 2025 për Shqipërinë, duke theksuar me forcë mangësitë sistemike në zgjedhje, drejtësi dhe qeverisje.
Raporti i propozuar nën drejtimin e Reporterit për Shqipërinë, Andreas Schieder, nxjerr në pah dështimet serioze të qeverisë shqiptare në fusha kyçe si zgjedhjet, drejtësia, administrata dhe qeverisja. Raporti thekson se pa reforma të thella dhe të pakthyeshme, Shqipëria rrezikon të humbasë besueshmërinë ndaj Bashkimit Evropian.
Eurodeputeti Andrey Kovatchev dhe grupi i PPE ka dorëzuar një paketë amendamentesh ku denoncohen mangësi serioze sistemike në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 në Shqipëri.
“Raporti nxjerr në pah përdorimin e gjerë të burimeve publike nga partia në pushtet, mungesën e kushteve të barabarta për opozitën dhe pretendime për blerje votash”, thuhet në raport. Sipas dokumentit, mungesa e ndarjes së qartë midis institucioneve shtetërore dhe strukturave partiake minon konkurrencën dhe besimin e qytetarëve.
Raporti kërkon një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë, që siguron akses të barabartë në media, mbrojtje ndaj keqpërdorimit të burimeve administrative dhe zbatim efektiv të ligjit.
Raporti përshkruan sfidat e vazhdueshme të gjyqësorit, duke përfshirë mbingarkesën me çështje të pazgjidhura dhe përpjekjet për ndikim të padrejtë. Eurodeputetët nënvizojnë rëndësinë e zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe të pavarësisë së gjyqësorit. Korrupsioni i nivelit të lartë mbetet shqetësim kryesor, ndërsa SPAK duhet të fuqizohet për të ndërtuar një histori të qartë hetimesh dhe dënimesh.
Raporti kritikon qeverinë për informalitetin e lartë ekonomik dhe mungesën e efikasitetit në administratë, të cilat pengojnë mjedisin e biznesit dhe konkurrencën. Në qendër të vëmendjes është edhe AKSHI, për mungesën e transparencës dhe kontrollit në prokurimet publike dhe infrastrukturën digjitale. Parlamentarët bëjnë thirrje për auditime të pavarura dhe mekanizma gjithëpërfshirës të kontrollit të investimeve dhe prokurimeve.
Raporti evidenton përkeqësimin e lirisë së medias, centralizimin e pronësisë dhe presionin ekonomik mbi gazetarët.
Në përfundim, përmes amendamenteve të paraqitura nga grupi PPE, eurodeputetët bëjnë thirrje për veprim të menjëhershëm nga autoritetet shqiptare: reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, depolitizim të administratës, luftë të vendosur kundër korrupsionit dhe transparencë të plotë në prokurimet publike, duke paralajmëruar se perspektiva e Shqipërisë drejt BE-së mbetet në rrezik pa këto ndërhyrje.
Top Channel