PPE dorëzon në Parlamentin Europian amendamentet për raportin e Shqipërisë: Zgjedhjet dhe korrupsioni rrezikojnë rrugën drejt BE-së
Besimtarët myslimanë kremtojnë sot festën e Fitër Bajramit që shënon mbylljen e muajit të shenjtë të Ramazanit.
Të gjitha qytetet e Shqipërisë u mbushën mëngjesin e ditës së sotme me besimtarë myslimanë që falnin Fitër Bajramin.
Në Fier, që në orët e para të mëngjesit edhe besimtarët kanë falur namazin në sheshin qendror të qytetit ndërsa krerët myslimanë të myftinisë kanë përcjellë urimet për paqe e harmoni mes njerëzve. Ceremonia e faljes së Fitër Bajramit filloi në orën 6:30 ku dhjetëra besimtarë të grupmoshave të ndryshme kryen ritet e faljes se madhe , ndërsa kanë shkëmbyer mesazhe paqeje mes njëri- tjetrit. Në ligjëratën e tij myftiu Mikel Hazizolli ka uruar e përshëndetur gjithë besimtarët myslimanë duke i ftuar të kontribuojnë shumë më tepër për të ndërtuar një shoqëri sa më dinjitoze , sa më të paqtë, sa më solidare.
Në Kukës, besimtarët myslimanë kanë përcjellë urimet e tyre për më shumë paqe, harmoni dhe begati.
Ndërkohë, myftiu i Kukësit, Emirjon Vathaj, u shpreh se njeriu gjen shpërblim prej Allahut dhe se kjo ditë është një ditë gëzimi për të gjithë besimtarët.
Edhe në Bulqizë, që në orët e para të mëngjesit, besimtarët iu drejtuan xhamive për të kryer faljen e kësaj dite të shenjtë, duke përmbyllur muajin e Ramazanit. Në përfundim të ceremonisë fetare, u përcollën mesazhe paqeje, harmonie dhe bashkimi mes njerëzve, duke theksuar rëndësinë e ndihmës ndaj njëri-tjetrit dhe kujdesit për familjen.
Gjatë fjalës së tij, Myftiu Sejdin Strazimiri u ndal veçanërisht te edukimi i brezit të ri. Ai shprehu shqetësimin për ndikimin e tepërt të rrjeteve sociale në jetën e fëmijëve dhe të rinjve, duke i bërë thirrje prindërve dhe vetë të rinjve që të tregojnë më shumë kujdes. “Hiqni dorë nga TikTok-u dhe përqendrohuni te dijet, edukimi dhe ndërtimi i së ardhmes suaj”, u shpreh ai.
Edhe në qytetin e Lezhës që në orët e para të ditës, dhjetëra qytetarë iu drejtuan xhamisë, ku nën një atmosferë përkushtimi dhe qetësie kryen faljen e namazit. Në mesazhin e përcjellë, u theksua rëndësia e paqes, solidaritetit dhe harmonisë mes njerëzve, si dhe vlera e sakrificës gjatë muajit të agjërimit.
Kremtimi i Fitër Bajramit nuk mungoi as në Vlorë, pasi qindra besimtarë myslimanë të qytetit dhe zonave përreth kanë falur mëngjesin e sotëm namazin e Fitër Bajrami në ambientet e pallatit të Sportit Flamurtari.
Myftiu i Myftinisë së Vlorës, Ardit Hoxhllaku, në mesazhin e tij drejtuar besimtarëve theksoi rëndësinë e përkushtimit ndaj familjes dhe mbështetjes për njerëzit në nevojë. Sipas tij, dashuria dhe kujdesi ndaj njëri-tjetrit janë një formë e drejtpërdrejtë e shprehjes së besimit dhe lidhjes me Zotin.
Myftiu Hoxhllaku, në mbarim të faljes uroi për më shumë paqe dhe qetësi shpirtërore për të gjithë besimtarët.
Në Dibër qytetarët u mblodhën për të kryer faljen e Namazit, e cila këtë vit është zhvilluar në ambientet e Pallatit të Sportit Bashkim Lala, në orën 06:30.
Atmosfera festive ka përfshirë pothuajse të gjithë qytetin, ku pas faljes së Namazit, besimtarët kanë shkëmbyer edhe urime për paqe, harmoni dhe begati.
Autoritetet lokale kanë marrë masat e nevojshme për mbarëvajtjen e aktivitetit dhe për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të faljes.
Besimtarët myslimanë të Durrësit u mblodhën në sheshin para xhamisë së madhe të qytetit dhe në çdo xhami pranë vendbanimit të tyre për të falur Namazin e Bajramit. Gjatë ritit të faljes u përcollën mesazhet e kësaj dite festive për të gjithë besimtarët, duke uruar që Allahu t’ua ketë pranuar agjërimin, lutjet dhe veprat e mira gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit. Qëndrimi larg veseve e korrupsionit, duke ndjekur shembullin e profetëve qe një tjetër mesazh që u përcoll për besimtarët në Durrës.
Pas faljes, besimtarët shkëmbyen urime, duke shpresuar për mirësi, begatinë dhe mëshirën e Zotit, si dhe pranim të agjërimit për të vijuar më tej me traditën e kësaj feste të madhe për çdo besimtar.
Pas faljes, besimtarët shkëmbyen urime, duke shpresuar për mirësi, begatinë dhe mëshirën e Zotit, si dhe pranim të agjërimit për të vijuar më tej me traditën e kësaj feste të madhe për çdo besimtar.
Atmosfera festive e Fitër Bajramit ka mbizotëruar ngado edhe në sheshet dhe xhamitë e Krujës dhe zonave përreth saj. Rreth 5 mijë besimtarë, mes të cilëve dhe shumë fëmijë, morën pjesë në ceremoninë e Fitër Bajramit në stadiumin e qytetit të Fushë-Krujës. Ceremonia u drejtua nga imamët Muharrem Vrana dhe Dritan Rrahmani që ftuan besimtarët myslimanë dhe njerëzit me vullnet të mirë që të kontribuojnë shumë më tepër për të ndërtuar një shoqëri sa më dinjitoze, sa më të paqtë, sa më solidarë e më të shëndoshë. “Është koha që të angazhohemi maksimalisht që të punojmë së bashku për t’ju larguar veseve dhe të shtojnë sa më tepër dashurinë mes njëri-tjetrit”, thanë imamët Vrana dhe Rrahmani.
Në Gjirokastër falja e kësaj dite të shenjtë u zhvillua në ambientet e Pallatit të Sportit u zhvillua. Faljen e namazit e drejtoi myftiu i Gjirokastrës, Ermin Gjana. Besimtarët u lutën për më shumë paqe dhe harmoni mes njerëzve.
“T’ju uroj të gjithë qytetarëve të Gjirokastrës dhe vendit tonë një festë Fitër Bajrami sa më të gëzuar, me sa më shumë harmoni, me sa më shumë paqe, mirëkuptim edhe begati në jetën e familjeve të tyre”, u shpreh Gjana.
Pjesë e lutjes së Fitër Bajramit ishte edhe situata aktuale në botë dhe veçanërisht në Lindjen e Mesme.
Më pas për besimtarët kanë shpërndarë ëmbëlsirat e festës. Pjesë e festimeve të Ditës së Fitër Bajramit në Gjirokastër është edhe pritja e organizuar nga myftinia si dhe vizitat e besimtarëve në familjet e njeri-tjetrit.
Top Channel