Kanabisi i fshehur në magazinën në Peqin, reagon policia: Arrestohet një person, katër në kërkim, mes tyre vëllai i drejtorit të burgut të Rrogozhinës
Raporti për Shqipërinë që do të diskutohet në Parlamentin Europian do të kalojë përmes 305 amendamenteve të paraqitur nga eurodeputetët.
Imuniteti i ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, protestat e dhunshme të opozitës, mbështetja e fortë për SPAK-un, por edhe zgjedhjet e vitit 2025 janë disa nga amendamentet që janë paraqitur nga eurodeputetët, të cilat do të shqyrtohen në seancën për Shqipërinë.
Kryetari i delegacionit të Parlamentit Europian, David McAlister ka bërë një amendament në paragrafin ku flitet për Reformën në Drejtësi.
“PE Mirëpret vazhdimin e zbatimit të procesit të reformës në drejtësi, përfshirë rivlerësimin (vetting-un) e gjyqtarëve dhe prokurorëve, i cili ka kontribuar në rritjen e llogaridhënies dhe integritetit brenda sistemit gjyqësor; vëren, megjithatë, sfida të vazhdueshme që lidhen me efikasitetin e gjyqësorit, stokun e çështjeve, qëndrueshmërinë e praktikës gjyqësore dhe përpjekjet për ushtrim ndikimi të padrejtë; mirëpret punën e vazhdueshme të institucioneve të specializuara kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë SPAK-un, dhe bën thirrje për garantimin e pavarësisë së tyre të qëndrueshme, burimeve të mjaftueshme dhe kapacitetit operacional”, thuhet në amendamentin e eurodeputetit të njohur për rolin e tij negociator në Tiranë në vitin 2017.
Ndërsa një grup deputetësh të tjerë mes të cilëve edhe Andreas Schieder, Adnan Dibrani dhe Marco Tarquinio rikujtojnë se protestat e dhunshme të opozitës nuk kanë vend në demokracitë funksionale.
“Shpreh shqetësim për polarizimin e vazhdueshëm politik dhe diskursin konfrontues politik, të cilat minojnë mbikëqyrjen parlamentare, besimin e publikut dhe funksionimin efektiv të institucioneve demokratike; rikujton se protestat e dhunshme nuk kanë vend në një demokraci funksionale”, thuhet në amendamentin 84.
Pjesë e amendamenteve është edhe kërkesa e SPAK për arrestimin e ish-zv.kryeministres Balluku. Megjithatë nga sa kuptohet nga përmbajtja e amendamentit, ai duket të jetë bërë përpara se Kuvendi të rrëzonte kërkesën e SPAK.
“Thekson se korrupsioni mbetet një shqetësim serioz dhe se, pavarësisht progresit në kuadrin ligjor dhe institucional, Shqipëria duhet të konsolidojë më tej rezultatet e saj në hetime, ndjekje penale dhe dënime përfundimtare, veçanërisht në rastet e korrupsionit në nivele të larta; shpreh keqardhje për vendimin e kryetares së Kuvendit për të shtyrë votimin parlamentar për heqjen e imunitetit të Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku; rikujton se ky vendim është arbitrar dhe pa bazë ligjore; i bën thirrje Kuvendit që të trajtojë pa vonesë heqjen e imunitetit të Zëvendëskryeministres Balluku”, thuhet në amendamentin 111 të Ivaylo Valchev.
Nga ana e saj edhe Partia Popullore Europiane (PPE) ka dorëzuar në Parlamentin Europian 26 amendamente në raportin e 2025 për Shqipërinë, duke theksuar me forcë mangësitë sistemike në zgjedhje, drejtësi dhe qeverisje.
Eurodeputeti Andrey Kovatchev dhe grupi i PPE ka dorëzuar një paketë amendamentesh ku denoncohen mangësi serioze sistemike në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 në Shqipëri.
“Raporti nxjerr në pah përdorimin e gjerë të burimeve publike nga partia në pushtet, mungesën e kushteve të barabarta për opozitën dhe pretendime për blerje votash”, thuhet në raport. Sipas dokumentit, mungesa e ndarjes së qartë midis institucioneve shtetërore dhe strukturave partiake minon konkurrencën dhe besimin e qytetarëve.
Raporti kërkon një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë, që siguron akses të barabartë në media, mbrojtje ndaj keqpërdorimit të burimeve administrative dhe zbatim efektiv të ligjit.
Raporti përshkruan sfidat e vazhdueshme të gjyqësorit, duke përfshirë mbingarkesën me çështje të pazgjidhura dhe përpjekjet për ndikim të padrejtë. Eurodeputetët nënvizojnë rëndësinë e zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe të pavarësisë së gjyqësorit. Korrupsioni i nivelit të lartë mbetet shqetësim kryesor, ndërsa SPAK duhet të fuqizohet për të ndërtuar një histori të qartë hetimesh dhe dënimesh.
Raporti kritikon qeverinë për informalitetin e lartë ekonomik dhe mungesën e efikasitetit në administratë, të cilat pengojnë mjedisin e biznesit dhe konkurrencën. Në qendër të vëmendjes është edhe AKSHI, për mungesën e transparencës dhe kontrollit në prokurimet publike dhe infrastrukturën digjitale. Parlamentarët bëjnë thirrje për auditime të pavarura dhe mekanizma gjithëpërfshirës të kontrollit të investimeve dhe prokurimeve.
Raporti evidenton përkeqësimin e lirisë së medias, centralizimin e pronësisë dhe presionin ekonomik mbi gazetarët.
Në përfundim, përmes amendamenteve të paraqitura nga grupi PPE, eurodeputetët bëjnë thirrje për veprim të menjëhershëm nga autoritetet shqiptare: reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, depolitizim të administratës, luftë të vendosur kundër korrupsionit dhe transparencë të plotë në prokurimet publike, duke paralajmëruar se perspektiva e Shqipërisë drejt BE-së mbetet në rrezik pa këto ndërhyrje.
Top Channel