Katër tërmete brenda 30 minutash në rajonin e Epirit mëngjesin e sotëm/ Më i forti me magnitudë 4.5, lëkundjet pranë kufirit me Shqipërinë

20/03/2026 11:36

Katër tërmete goditën rajonin e Epirit mëngjesin e së premtes, pran kufirit greko-shqiptar, dy prej tyre me magnitudë mbi 4,5 Rihter brenda vetëm 30 minutash, duke shkaktuar shqetësim të madh tek banorët.

Lëkundjet u ndjenë fort në zonat e Agia Kyriaki në Janinë dhe në Filat të Thesprotisë, ndërsa sipas Institutit Gjeodinamik të Athinës, tërmeti më i fortë arriti në 4,6 Rihter me thellësi rreth 20 kilometra. Pak minuta më vonë pasoi një tjetër lëkundje 4,5 ballë të shkallës Rihter në të njëjtën zonë sizmike, duke konfirmuar aktivitetin e shtuar në kufirin mes Janinës dhe Thesprotisë.

Siç raporton korrespondenti i Top Channel Aleksandër Marku, pas dy goditjeve kryesore, rajoni vazhdoi të përjetojë një seri pasgoditjesh të njëpasnjëshme. U regjistruan disa tërmete më të vegjël, mes tyre 3,9 dhe 3,3 Rihter pranë Leptokarias dhe Filatit, ndërsa gjatë natës u shënuan edhe lëkundje të tjera rreth 3,3–3,7 Rihter. Në total, dhjetëra dridhje me thellësi të vogël janë regjistruar në orët e fundit, gjë që ka rritur ankthin e banorëve, megjithëse deri tani nuk raportohet për dëme serioze. Autoritetet shkencore po monitorojnë vazhdimisht evolucionin e fenomenit.

Kjo valë sizmike vjen pas tërmetit të fortë të 8 marsit, i cili shkaktoi dëme në disa zona dhe çoi në shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në bashkitë e Janinës, Dodonës dhe Sulit. Aktiviteti i vazhdueshëm sizmik në të njëjtën zonë tregon se shtresat e tokës nuk janë stabilizuar ende, ndërsa qytetarët këshillohen të qëndrojnë vigjilentë dhe të ndjekin udhëzimet e Mbrojtjes Civile.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB