“Jeni një tigër prej letre”/ Trump sulmon aleatët e NATO-s për Iranin: Frikacakë, do ta mbajmë mend

20/03/2026 16:22

Lufta në Lindjen e Mesme, që po përqendrohet kryesisht tek infrastruktura energjetike, duke futur në kolaps tregjet botërore, po thellon dhe përplasjen mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s.

Presidenti amerikan, Donald Trump, sulmoi ashpër aleancën euroatlantike, që nuk ndërhyn për zhbllokimin e ngushticës së Hormuzit, gjë që do të çonte në stabilizim të çmimit të karburanteve.

“Pa SHBA-në, NATO është një tigër letre! Ata nuk donin të bashkoheshin në luftën për të ndaluar një Iran me fuqi bërthamore. Tani që lufta është fituar, me shumë pak rrezik për ta, ata ankohen për çmimet e larta të naftës që detyrohen të paguajnë, por nuk duan të ndihmojnë në hapjen e Ngushticës së Hormuzit, një manovër e thjeshtë ushtarake që është arsyeja e vetme për çmimet e larta të naftës. Kaq e lehtë për ta, për ta bërë, me kaq pak rrezik. Frikacakë! Ne do ta KUJTOJMË!”

Me ironi, Presidenti Trump u shpreh se dëshiron të negociojë me Iranin për arritjen e një marrëveshjeje, por shtoi se nuk ka me të bisedojë, pasi udhëheqësit e vendit janë vrarë nga operacionet ushtarake amerikano-izraelite.

“Udhëheqësit e Iranit janë vrarë, edhe ata që pritej t’i zëvendësonin janë vrarë, dhe tani askush nuk do të marrë drejtimin e vendit. Ne duam të bisedojmë me Teheranin, por nuk ka më me kë të negociojmë. Nuk kemi asnjë person me të cilin të flasim. Dhe, ta themi hapur, kjo na përshtatet”.

Lufta në Lindjen e Mesme vijon prej tre javësh, me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin që kanë goditur udhëheqësit e Iranit dhe infrastrukturën energjetike të tyre, ndërsa Teherani është kundërpërgjigjur me mbylljen e ngushticës së Hormuzit, pikës më të madhe të kalimit të naftës në botë.

Top Channel