“Gjermania mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në BE”/ Mesazhe mbështetëse për integrimin, Peleshi takon Presidenten e Bundestagut
Ambasadorja amerikane në Athinë, Kimberly Guilfoyle ishte pak ditë më parë në Tiranë ku u takua me kryeministrin Edi Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare i pyetur nga mediat lidhur me këtë takim, tha se biseda ishte përqendruar te interesat amerikane në rajon.
“Ambasadorja erdhi për të bërë një takim njohjeje, për të diskutuar disa çështje të interesit të lartë amerikan në rajon, që kanë të bëjnë me energjinë, bashkëpunimin rajonal dhe qasjen ndaj forcave të treta. Ambasadorja e SHBA në Athinë është një përfaqësuese e njohur në politikën amerikane”, tha Rama, gjatë një konference për shtyp.
Ndërkohë sot, media e njohur greke Kathimerini ka hedhur dritë mbi një investim greko-amerikan në fushën e minierave që mund të bëhet në vendin tonë.
Grupi i biznesit AKTOR, ka njoftuar zyrtarisht hyrjen në sektorin minerar të Shqipërisë.
“Marrëveshja kuadër e nënshkruar me BNI Foundation ka të bëjë me bashkëpunimin ekskluziv për kërkimin, zhvillimin dhe shfrytëzimin e burimeve minerare kritike në vendin fqinj, konkretisht të nikelit dhe kobaltit. Burime shpjegojnë se ky zhvillim vendos de facto një kompani greke në qendër të përpjekjeve evropiane dhe amerikane për sigurimin e lëndëve të para kritike, veçanërisht atyre të nevojshme për prodhimin e baterive për ruajtjen e energjisë elektrike”, shkruan Kathimerini.
Marrëveshja parashikon krijimin e një kompanie të re të përbashkët (Joint Venture) sipas legjislacionit shqiptar. Në këtë kompani, grupi AKTOR do të marrë pjesë përmes filialit të tij të sapokrijuar, AKTOR Metal, me 51%, ndërsa BNI Foundation do të zotërojë 49% përmes filialeve të saj. BNI Foundation është pjesë e një organizate më të gjerë me aktivitet të diversifikuar në fusha si energjia, shëndetësia dhe turizmi në Evropën Juglindore. Ajo do të kontribuojë në këtë bashkëpunim me të drejtat e shfrytëzimit dhe licencat që tashmë zotëron për projektet përkatëse minerare.
“Vlera e investimit, në fazën e zhvillimit të plotë, vlerësohet të arrijë në 1 miliard euro. Me rëndësi të veçantë konsiderohet fakti që financimi do të mbështetet në një masë të madhe në kapital amerikan, ndërsa projekti do të ketë mbështetje teknike dhe këshilluese nga kompani me seli në SHBA. Kjo përfshirje e faktorëve amerikanë nënvizon rëndësinë e projektit për zinxhirin furnizues perëndimor dhe shpjegon edhe përfshirjen e AKTOR-it, i cili tashmë ka zhvilluar marrëdhënie tregtare me kompani dhe institucione amerikane, për shembull në tregtinë e gazit natyror të lëngshëm amerikan. Interesi investues i kësaj sipërmarrjeje greko-amerikane fokusohet në zonën e Bilishtit në Shqipëri”.
Sipas Kathimerinit njoftimi i marrëveshjes mes AKTOR dhe kompanisë amerikane lidhet me vizitën e disa ditëve më parë në Tiranë të drejtuesit të grupit AKTOR, Aleksandros Eksarhos, së bashku me ambasadoren amerikane në Athinë, Kimberly Guilfoyle, gjatë së cilës ata u takuan me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Top Channel