Përplasen dy makina në aksin Korçë-Maliq, raportohet për disa të lënduar Vizita e parë e Drejtorit të Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve, Oliver Jankovec në Aeroportin e Tiranës shënon një zhvillim të rëndësishëm për aviacionin civil në vend për investime të mëtejshme në inovacion dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Kastrati Group dhe Airports Council International gjatë vizitës dy ditore në TIA do të nënshkruajnë një marrëveshje për projektin e energjisë diellore, për të arritur nivelin “net zero” brenda 5 vitesh. Me këtë bashkëpunim, Aeroporti ndërkombëtar i Tiranës synon të balancojë plotësisht emetimet e karbonit, si pjesë e angazhimit për mbrojtjen e mjedisit dhe rritjen e diversifikuar.
“Po përmbyllim diskutimet lidhur me impiantet diellore jashtë aeroportit dhe do të nënshkruajme deklaratën tonë të përbashkët me sektorin e energjisë dhe gazit, duke u angazhuar për të arritur objektivin “net zero” deri në vitin 2030, dukshëm përpara afateve të zakonshme globale. Ky është kontributi ynë konkret drejt qëndrueshmërisë dhe zhvillimit të përgjegjshëm”, u shpreh PierVittorio- TIA.
Në një intervistë për Top Channel, Oliver Jankovec vlerësoi transformimin e aeroportit ndërkombëtar të Tiranës në përputhje me axhendën e Këshillit të Aeroporteve, duke qenë lider në rajon e jo vetëm.
“TIA është performuesi më i mirë në Europë për sa i përket rritjes së trafikut. Krahasuar me vitin 2019, aeroporti ka shënuar një rritje prej 250% të trafikut të pasagjerëve, ndërsa mesatarja europiane mbetet nën 6%, duke e bërë këtë një rritje vërtet eksponenciale. Investimi në Aeroportin e Tiranës vjen në kohën e duhur, me rreth 140 milionë euro për të zhvilluar kapacitetet. Rrjetëzimi ajror është më i rëndësishëm se kurrë për zhvillimin ekonomik. Shqipëria me Aeroportin e Tiranës është shembull i shkëlqyer që uroj të ndiqet nga vende të tjera”, tha për TCH, Oliver Jankovec- drejtor i ACI .
Kjo vizitë jo vetëm forcon lidhjet ndërkombëtare të aeroportit të Tiranës, por edhe dëshmon vëmendjen e shtuar që komuniteti global i aviacionit po i kushton zhvillimit të TIA-s.
Top Channel