Tensionet në Lindjen e Mesme, qeveria italiane miraton dekretin për të frenuar rritjen e çmimeve të karburanteve për 20 ditët e ardhshme

18/03/2026 21:38

Qeveria italiane ka miratuar një dekret për të frenuar rritjen e çmimeve të karburantit si pasojë e tensioneve në Lindjen e Mesme.

Kryeministrja Giorgia Meloni bëri të ditur se masa do të sjellë një ulje të menjëhershme prej rreth 25 centësh për litër, si reagim ndaj rritjes së çmimeve të shkaktuar nga tensionet ndërkombëtare dhe lufta në Iran.

Dekreti përfshin gjithashtu masa mbështetëse për sektorët më të prekur, si transporti rrugor dhe peshkimi, përmes kredive tatimore. Paralelisht, qeveria ka vendosur të forcojë kontrollet në treg për të parandaluar spekulimet, duke parashikuar edhe sanksione për operatorët që abuzojnë me çmimet.

Sipas autoriteteve, ndërhyrja është e përkohshme dhe do të mbetet në fuqi për 20 ditë, ndërsa priten zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të energjisë, veçanërisht lidhur me situatën në Gjirin Persik dhe ndikimin e mundshëm të saj në furnizimin global me naftë.

Ministri i Transportit, Matteo Salvini, e cilësoi masën si një ndihmë të rëndësishme, duke theksuar se synimi është ulja e çmimit të karburantit nën 1.90 euro për litër. Ai shtoi se qeveria ka bashkëpunuar me kompanitë kryesore të sektorit për të përballuar rritjen e çmimeve.

Nga ana tjetër, opozita ka kritikuar dekretin, duke e cilësuar si një masë të përkohshme dhe me prapavijë elektorale. Sekretarja e Partisë Demokratike, Elly Schlein, deklaroi se ndërhyrja nuk adreson problemin në afat të gjatë dhe kujtoi premtimet e mëparshme për heqjen e plotë të akcizës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB