Një aplikacion ku ofrohej përmbajtje e gjerë mediatike, nga kanale televizive, filma artistikë, sport dhe reality show, përfshirë “Big Brother VIP Albania”.
Gjithçka transmetohej piratisht dhe në mënyrë të jashtëligjshme në një aplikacion, që u mbyll këtë të mërkurë pas verifikimit nga ekipet e inspektimit të Autoritetit të Mediave Audiovizive.
Kryetarja Armela Krasniqi njofton se pas kërkesës së AMA-s aplikacioni “Kanali im” është hequr nga platforma Google Play Store.
“Ky aplikacion ofronte akses të paautorizuar në kanale televizive shqiptare dhe përmbajtje audiovizive me të drejta, duke përbërë një rast të qartë të shpërndarjes së paligjshme të përmbajtjes audiovizive në internet”, thuhet në njoftimin e AMA-s, që vijon monitorimin e hapësirës digjitale dhe raportimin e platformave që shpërndajnë në mënyrë të paautorizuar kanale dhe programe televizive.
Disa javë më parë, u zhvillua një aksion i gjerë nga Drejtoria e Krimit Kibernetik zbuloi një skemë mashtrimi ku disa subjekte përdornin në mënyrë të paligjshme edhe logon e kompanisë “DigitAlb”, duke përfituar shuma parash nga qytetarët.
Nga kontrollet që iu bënë shtatë subjekteve në Shkodër, Lezhë, Tiranë, Vlorë dhe Sarandë, u sekuestruan pajisje për kodimin dhe shpërndarjen e paligjshme të kanaleve televizive.
Top Channel