Një tjetër zyrtare “trazon” Trumpin, drejtoresha e Inteligjencës: Refuzoj të përgjigjem në senat nëse Irani përbën kërcënim

18/03/2026 19:23

Një ditë pas dorëheqjes së drejtorit të Antiterrorit, Joe Kent, me argumentin se Irani nuk përbënte kërcënim për t’u sulmuar, shefja e Inteligjencës Amerikane trazoi sërish administratën e Donald Trump.

Në një seancë dëgjimore në Senat, zyrtarja e lartë, Tulsi Gabbard, refuzoi t’i përgjigjej pyetjes nëse Irani përbënte kërcënim të afërt bërthamor. Pavarësisht këmbënguljes së senatorëve se është përgjegjësi e saj të zbulojë nëse kishte kërcënim nga Irani, ajo refuzoi, duke thënë se përgjigjen mund ta jepte vetëm Presidenti Trump.

Ndërkohë, mediat botërore publikuan dhe një pjesë të dëshmisë së saj në Senat, ku ajo shprehej se “Irani nuk bëri asnjë përpjekje për të rindërtuar objektet e tij bërthamore pas sulmit amerikan në qershor të vitit 2025”.

Kjo dëshmi u korrigjua më pas nga shefja e Inteligjencës, e cila u shpreh se para operacionit “Epic Fury”, Irani po përpiqej të rikuperohej nga sulmet e qershorit dhe vazhdoi të refuzonte të përmbushte detyrimet e tij lidhur me armët bërthamore”.

Ndërkohë, para se të niste dëshminë në Senat, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, ka besimin e plotë të Presidentit Trump dhe se puna e saj nuk ishte në rrezik.

Trazirat në administratën “Trump” vijnë në një kohë kur lufta në Lindjen e Mesme po përshkallëzohet. Ushtria amerikane dhe ajo izraelitë kanë shtuar sulmet ndaj Iranit, duke shënjestruar jo vetëm udhëheqësit e lartë të vendit, por edhe infrastrukturën energjetike. Teherani u kundërpërgjigj me një sërë raketash ndaj Izraelit, duke vrarë të mërkurën dy njerëz.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB