Inside Story/ Në Vjosë vetëm 1 leje për marrje inertesh, por hulumtimi zbuloi dhjetëra kompani që zhvasin Parkun e Mbrojtur
Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore i tha Inside Story se ka kryer monitorime periodike në të gjitha kompanitë që kanë leje për shfrytëzimin e lumenjve dhe në asnjë rast nuk ka evidentuar probleme.
Nuk janë konstatuar subjekte në shkelje të lejeve dhënë nga organet e menaxhimit të burimeve ujore. Subjekteve në fjalë u janë lënë detyra që të respektojnë zonën e shfrytëzimit të materialeve inerte të miratuar si dhe të raportojnë mbi sasitë e marra.
Por, krejt ndryshe paraqitet situata nga inspektimet në terren të Agjencisë Rajonale të Mjedisit. Pas problemeve që u shfaqën me rrëshqitjen e një pjese të rrugës në zonën e Dragostunjës, duke bllokuar të gjithë Juglindjen, inspektorët e ARM kanë dalë në terren. Gjatë monitorimit të subjekteve që kanë ndërhyrë në shtratin e lumit Shkumbin përgjatë aksit Elbasan–Librazhd–Bushtricë, ato kanë ndëshkuar me gjobë tre kompani, dy prej të cilave nuk kishin leje fare.
“Sipas lejeve që ne kemi parë theksohet që në përfundim të punimeve nuk do të ketë trup ose depozitime të huaja në morfologjinë e lumit ose në rrjedhën e tij, por që edhe kjo që është tani po i jep pasojat edhe po ndryshon”, u shpreh aktivisti Gëzim Shuli.
Sipas procesverbaleve që Inside Story disponon, subjekti “A.N.K.” është inspektuar dy herë mbi zbatimin e kushteve të VNM-së dhe zbatimin e kushteve të lejes së shfrytëzimit të materialeve inerte. Trupa inspektuese dyshon se subjekti ka devijuar nga gjurmët e projektit dhe përgjatë shtratit u konstatua erozion i brigjeve të lumit.
Në njësinë administrative Qendër Librazhd, në shtratin e lumit Shkumbin, inspektorët kanë konstatuar 3 ekskavatorë që po punonin në shtratin e lumit, duke devijuar rrjedhën.
Gjithashtu kanë konstatuar depozitime masive të dherave dhe materialeve inerte të dala nga gërmimet që arrinin deri në rrjedhën e lumit Shkumbin. Sipas inspektorëve të Agjencisë Rajonale të Mjedisit, këto depozitime pengojnë rrjedhën natyrale të lumit, ndryshojnë ose zhvendosin mbulesën bimore natyrale apo artificiale.
Subjekti është gjobitur me 1 mln lekë të reja dhe i është lënë detyrë që të marrë masa të menjëhershme për heqjen e dherave, që ka hedhur në shtratin dhe bregun e lumit. Kompania A.N.K. pretendon se nuk ka hyrë në lum pa leje dhe nuk ka depozituar jashtë koordinatave të miratuara. Subjekti thotë se ndërhyrja konkrete lidhej me masat e emergjencës dhe i referohet një urdhri të datës 24 shkurt nga Autoriteti Rrugor, që i kërkon ndërhyrje të menjëhershme për devijimin e shtratit të lumit që godiste hekurudhën.
Në këtë situatë A.N.K e ka ankimuar gjobën pasi pretendon se ushtron aktivitetin brenda kushteve ligjore.
“Është një shprehje që lumi do të shkojë në shtratin e tij gjithmonë kështu që sado të përpiqen ta ndryshojnë do të shkojë në shtratin e tij. Shkumbini ka një veçori që është një nga lumenjtë më të rrëmbyeshëm që ne kemi në Shqipëri, në fakt edhe këto ngushtime nuk i bëjnë aspak të mirë, pasi do të prishin rrëmbyeshmërinë e tij”, u shpreh Gëzim Shuli.
Një tjetër kompani e inspektuar është “GECI”. Inspektorët kanë konstatuar se në afërsi të fshatit Muriqan, kamionë dhe ekskavatorë të këtij subjekti po nxirrnin materiale inerte nga lumi Shkumbin, të cilat i përdornin për ndërtimin e rrugës Korridori i 8, loti 2, Paper-Elbasan. Por, ky subjekt nuk ka paraqitur leje për shfrytëzimin e materialeve inerte nga organet e menaxhimit dhe administrimit të burimeve ujore. Subjekti është gjobitur me 1 mln lekë dhe i është pezulluar menjëherë veprimtaria e shfrytëzimit të inerteve lumore, deri në marrjen e lejes.
Edhe kompania INFINERT është konstatuar me shkelje. Nga monitorimi i terrenit inspektorët e ARM kanë konstatuar se ekskavatorët e kompanisë ndodheshin në lumin Shkumbin, përballë kantierit të subjektit. Në momentin e inspektimit ekskavatorët ishin të fikur, por në zonën rreth ekskavatorit u konstatuan disa gropa të cilat tregojnë qartë që janë marrë inerte lumore.
Gjithashtu rruga që lidh kantierin e subjektit INFINERT+ me lumin kishte gjurmë kamionësh. Ndaj subjektit është marrë masa dënim administrativ: paralajmërim. Po ashtu, i është lënë detyrë që “Subjekti të largojë menjëherë ekskavatorët nga shtrati i lumit, të mos marrë inerte, të mos ushtrojë veprimtari në shtratin apo brigjet e lumit pa u pajisur më parë me lejen përkatëse.
Mungesa e monitorimit dhe ndërhyrjet pa kriter kanë dhënë edhe efektet e erozionit lumor. Kjo është ura e trenit të Murrashit. Siç edhe dëshmohet nga pamjet, ajo është shembur. Shumë pranë saj po punohet intensivisht. Përveç kësaj, ndryshimi i shtratit të lumit dhe ngushtimi i tij ka rritur rrëmbyeshmërinë.
“Gërryerja është absolutisht gërryerja e sedimenteve. Gërryerja e sedimenteve dhe ne e shohim shumë, shumë rëndom këtë pjesën e urave. Pra kompanitë ilegale, legale, e kanë aksesin më të lehtë kur janë direkt te këmbët e urës. Pra, zbresin, kalojnë urën dhe marrin aty. Dhe ky është fenomen që ndodh në, unë mund t’u përmend, ju përmendët Matin, po në Vjosë ka gjithashtu, në Shkumbin ka gjithashtu, pra është gërryerja”, u shpreh Olsi Nika, ekspert mjedisi “EcoAlbania”.
Kjo është ura e Polisit në Librazhd, që lidh dhjetëra fshatra me rrugën kryesore. Edhe këmbët e kësaj ure janë zbuluar krejtësisht duke vënë në pikëpyetje sigurinë e saj. Drejtuesit e automjeteve në këtë zonë thonë se përgjatë gjithë kësaj zone ka pasur gërmime në shtratin e lumit, duke bërë që ura të mos jetë më e sigurt.
“Po të shikojmë tek ura e Polisit kemi një rrëshqitje, kemi një dalje të themeleve të këmbëve dhe urës që prapë vjen si pasojë e rrëmbyeshmërisë së lumit. E marrjes së inerteve. Në afërsi, por edhe kur merren në largësi ato sidomos rrisin rrëmbyeshmërinë e tij dhe lumi do të krijojë atë shtratin e vet. Në disa raste ka pasur një ulje prej 1 metri, në disa raste prej 2 metrash nga shtrati i tij fillestar dhe kjo ka sjellë që ne të kemi këto pasoja që ne kemi tani duke parë, po flasim për miliona vjetra e vërtetë”, u shpreh aktivisti Gëzim Shuli.
Top Channel