Inside Story/ Në Vjosë vetëm 1 leje për marrje inertesh, por hulumtimi zbuloi dhjetëra kompani që zhvasin Parkun e Mbrojtur
Erozioni i shkaktuar nga marrja e inerteve po kërcënon edhe monumentet e kulturës. Ura e Zogut është një nga më të veçantat për strukturën e saj arkitekturore.
Me harqet e saj të varura, një monument kulture i kategorisë së parë, ajo po shkon drejt kolapsit. Gërryerja e pandërprerë e inerteve pranë këmbëve të urës ka bërë që struktura të humbasë stabilitetin.
Ky është një ndër rastet më flagrante.
Elsa Sulaj, nga shoqata Sebastia në zonën e Laçit, e ka ndjekur që nga viti 2021 situatën për këtë objekt, duke inicuar peticione për të gjitha institucionet. Organizata e adresoi çështjen përtej kufijve, tek ‘Europa Nostra’, që e shpalli në shkurt të 2023-it një nga shtatë monumentet më të rrezikuara.
Ata e përzgjodhën për të patur një ndërhyrje, por Ministria e Kulturës së asaj kohe, e drejtuar nga Elva Margariti, e mori vetë përsipër. Në vitin 2023, qeveria miratoi një fond prej 500 mijë eurosh, që konsistoi në vendosjen e kësaj strukture metalike. Megjithatë, siç dëshmohet nga këto pamje, ndërhyrja nuk e ka zgjidhur problemin. Në mesin e saj, ura pothuajse është thyer, këmbët e saj janë të zhveshura dhe rrezikon ta marrë lumi.
“Ne nuk e dimë se sa siguri ka, sa u ndërhy, si u zbatua ai plan-projekti dhe sa garanci ka në vijimësinë e monumentit të kulturës, pra sa mund të qëndrojë”, u shpreh aktivistja Elsa Sulaj.
Prefektura e Lezhës dhe aktivistët që e kanë monitoruar thonë se situata ka ardhur si pasojë e gërryerjes pa kriter, abuzim që ka ndodhur edhe kur po kryheshin punimet përforcuese.
“Gjatë periudhës që po kryheshin punimet afër monumentit të kulturës po bëhej tërheqja e inertëve”, u shpreh aktivistja Elsa Sulaj.
“Nga ajo çka ne kemi arritur të gjejmë ose të hulumtojmë, një nga shkaqet kryesore është gërryerja e lumit të madh. Duke qenë se këmbët e urës kanë qenë shumë të ekspozuara nga prurjet e mëdha që ka sjellë lumi, kanë sjellë edhe degradimin e herë pas here të saj. Ditët e fundit ju keni vënë re të ndryshket në afërsi të saj edhe gjatë kohës që po kryheshin punimet. Madje ky ka qenë një shqetësim që ne e kemi ngritur herë pas here edhe Ministrisë së Kulturës, që ishte përgjegjëse për ndërhyrjet”, u shpreh ajo.
500 mijë eurot e dhëna për të mbrojtur këtë urë nuk kanë mjaftuar për ta shpëtuar. Ajo është sërish në rrezik, dhe aktivistët e zonës i janë drejtuar sërish ‘Europa Nostra’ për ekspertizë dhe ndihmë.
“Çdo ditë që kalon është një nga ditët më të zeza që mund të vijë, dhe në reshjet e shumta apo në ditët kur ka shumë prurje të lumit të Mat, ne mendojmë se nga momenti në moment mund të bie. Situata do të vijë duke u përkeqësuar për kaq kohë sa nuk shohim një investim të mirëfilltë dhe nuk marrim një përgjigje konkrete se çfarë po ndodh me këtë monument kulture”, u shpreh aktivistja Elsa Sulaj.
Ka një sërë vendimesh ligjore që ndalojnë shfrytëzimin e lumenjve. Fillimisht, nxjerrja e zhavorrit u ndalua dhe lejohej vetëm për segmente të veçanta të lumit, me një vendim të Këshillit Kombëtar të Burimeve Ujore në vitin 2006.
Për shkak të shqetësimeve të shtuara mjedisore, në vitin 2010 u ndalua plotësisht nxjerrja e zhavorrit me vendim të Këshillit Kombëtar të Burimeve Ujore.
Bazuar te nevoja për materiale ndërtimi për të mbështetur zhvillimin e shpejtë infrastrukturor në vend, një vit më vonë, pra më 2011-ën, Këshilli Kombëtar i Burimeve Ujore vendosi lejimin e nxjerrjes së zhavorrit. Por vetëm për ndërtimin e rrugëve kombëtare dhe vetëm në segmente të caktuara lumenjsh.
Top Channel