Inside Story/ Ndërhyrjet në shtratin e Shkumbinit, aktivisti: Rrezikohen banesat, gërryerjet kanë cenuar rëndë habitatet

18/03/2026 21:47

Këtu jemi në zonën e Peqinit, ku në kurriz të shtratit të lumit Shkumbin janë zgjeruar dhe funksionojnë prej vitesh një sërë biznesesh. Asnjë prej tyre nuk bën pjesë në listën e vënë në dispozicion nga AMBU.

Ndërsa këtu jemi në Bradashesh, pas vend-depozitimit të mbetjeve ku duken makineritë që po punojnë në shtratin e lumit.

Masakra e vërtetë ka ndodhur në zonën e Librazhdit, ku 5 kompani janë licencuar për të marrë inerte mbi lumin Shkumbin, të cilat do t’i përdorin për të ndërtuar korridorin e 8-të që kalon në këtë zonë.

“Në Shkumbin kemi parë rastin më të keq se si shfrytëzohen inertet e një lumi dhe se si sakrifikohet një lum për hir të ndërtimit të një rruge. Patjetër ne nuk jemi kundër zhvillimit, nuk jemi kundër infrastrukturës. Të gjithë ne duam të lëvizim në rrugë të mira, jetojmë mirë si qytetarë të Shqipërisë dhe duam që vendi ynë të jetë me standarde ndërkombëtare”, u shpreh Besja Guri nga Qendra “Lumi”.

Pamjet në terren dëshmojnë se ndërhyrja në shtratin e lumit Shkumbin ka qenë arbitrare. Në disa vende ka pasur marrje masive të inerteve, në disa zona të tjera janë depozituar buzë lumit dherat e dala nga gërmimet dhe në zona të tjera është devijuar shtrati i lumit.

“Rasti i Shkumbinit është një nga rastet më flagrante se si keqpërdoret shtrati i lumit për hir të zhvillimit apo për hir të infrastrukturës. Mënyra se si merren inertet, mënyra se si është devijuar shtrati i lumit për të marrë inertet dhe më pas depozitimet që bëhen, pra që janë dherat, mbetjet nga ndërtimi në anë të lumit kanë formuar male, male të tëra duke ndryshuar komplet rrjedhën e lumit, shtratin e lumit dhe nga ana tjetër duke dëmtuar dhe tokat përreth”, u shpreh Guri.

Pasojat janë të dukshme. Fshati përballë ka rrëshqitur.

Gëzim Shuli që drejton një shoqatë mjedisore në zonën e Librazhdit dhe që e ka ndjekur prej kohësh situatën, thotë se lumi Shkumbin është një nga lumenjtë më të pastër të ekosistemeve ujore në vendin tonë. Sipas tij, si pasojë e punimeve ujërat janë ndotur, duke kërcënuar habitatin ujor. Mes tyre edhe ngjalën që jeton në këtë zonë, e cila është një specie në rrezik zhdukjeje në listën e IUCN-së.

“Po rrëshqasin tokat bujqësore, po rrezikohen edhe shtëpi në shumë raste. Ndryshimi i morfologjisë së trupit lumor sjell pasoja të pakthyeshme. Një sepse nëse ti gërmon në trupin e lumit do të rrisësh rrëmbyeshmërinë e tij duke e bërë akoma më të rrëmbyeshëm dhe kjo do të sjellë pasoja në të gjithë brigjet anësore të rrjedhës siç e kemi parë me rrëshqitje e dherave. Duke gërryer prapë lumin, ti do të prishësh habitatet e gjithë gjallesave që jetojnë aty”, u shpreh aktivisti Gëzim Shuli.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB