Inside Story/ Në Vjosë vetëm 1 leje për marrje inertesh, por hulumtimi zbuloi dhjetëra kompani që zhvasin Parkun e Mbrojtur
Ndryshe nga pamjet që konstatohen në të gjithë shtretërit e lumenjve, zyrtarisht Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore thotë se në të gjithë vendin vetëm 9 subjekte kanë leje për të shfrytëzuar inertet e lumenjve.
Nga këto, 6 subjekte ushtrojnë aktivitetin në lumin Shkumbin, 2 mbi lumin Mat dhe 1 mbi Vjosë.
Të gjitha janë kompani që po ndërtojnë rrugë. Por ekspertët dyshojnë se, pasi jepen lejet, zinxhiri i kontrollit është i shkëputur dhe askush nuk i monitoron. Si pasojë, inertet përfundojnë duke ushqyer sektorin privat të ndërtimit.
“Unë mund të përmend Erzenin që është kontribuesi kryesor, bashkë me çimenton e Fushëkrujës, të ndërtimeve në Tiranë. Patjetër aty po e kam përfunduar se si të shfrytëzohen inertet ligjërisht”, u shpreh Olsi Nikaj, ekspert mjedisi i “EcoAlbania”.
Sipas raportit të gjendjes së mjedisit, një raport zyrtar që mat të gjithë parametrat mjedisorë, përgjatë vitit 2024 sasia e materialeve inerte lumore të përdorura është thuajse dy herë më e lartë se një vit më parë.
Nëse në vitin 2023 volumi i mbetjeve inerte lumore ishte 381 mijë m³, në vitin 2024 kjo sasi arriti në 665 mijë m³.
“Fatkeqësisht, Shqipëria është një kantier ndërtimi nga veriu në jug, qytetet, bregdeti, pra kudo ku ka vend ose pak hapësirë po synohet që të ndërtohet. Të gjithë këto ndërtime duhet të marrin materiale diku dhe ku po i marrin? Po i marrin në lumenjtë tanë. Dhe për sa kohë do të vazhdojë ky bum ndërtimesh, kam frikë se edhe lumenjtë do të vazhdojnë të jenë pre e këtij keqpërdorimi”, thotë Olsi Nikaj.
Vetë prefekturat, që janë në krye të komisionit që firmosin lejet për shfrytëzimin e lumenjve, kanë dhënë një përgjigje të uniformizuar me atë të AMBU-së. Vetëm prefekturat e Shkodrës dhe Kukësit dhanë një përgjigje të detajuar.
Prefektura e Kukësit thotë se në lumin e Valbonës nuk ka subjekte të licencuara, por kanë konstatuar dy aktivitete që punojnë pa leje dhe po ashtu po mbajnë nën monitorim edhe shtratin e lumit.
Prefektura e Shkodrës, e cila është kryetare e basenit lumor Drin-Bunë, sqaroi se për periudhën 2003–2019 ka miratuar 34 leje shfrytëzimi inertesh. Kjo është lista e kompanive që kanë punuar në këtë zonë, por që tani janë shfuqizuar.
Volumi i inerteve i miratuar për tu nxjerrë nga shtretërit e lumenjve në basenin Drin-Bunë përgjatë kësaj periudhe ka qenë 5,2 milionë m³. Që nga viti 2019 nuk janë miratuar më leje të reja në këtë basen.
Prefektura e Durrësit, që administron basenet e lumit Ishëm dhe Erzen, thotë se nuk ka konstatuar asnjë shkelje. Sipas institucionit, vetëm 2 raste janë identifikuar në një periudhë më të hershme, konkretisht mes viteve 2000–2021, për të cilat janë marrë masa.
Top Channel