LIVE/ Teherani godet Abu Dhabin dhe ambasadën amerikane në Irak, Izraeli vret numrin dy të Iranit. Trump sulmon NATO-n, jep dorëheqjen zyrtari i lartë amerikan i Antiterrorit

17/03/2026 18:00

Konflikti në Lindjen e Mesme është futur në ditën e 17-të. Edhe kjo e martë nisi me sulme nga të 3 palët e përfshira në konflikt.

Teherani shënjestroi sërish Ambasadën Amerikane në Irak, por mbrojtja ajrore amerikane arriti t’i shkatërronte raketat para se të arrinin objektivin e tyre.

Irani nuk u ndal vetëm në Bagdad, mediat e huaja raportuan se edhe Abu Dhabi ishte nën shenjestrën iraniane sot. Si pasojë e mbetjeve të raketave të shkatërruara humbi jetën një shtetas pakistanez. Sulmet iraniane goditën edhe fushën e naftës Shah, një ndër me prodhimin më të lartë të hidrokarbureve në vendet e Gjirit.

Ndërkohë Izraeli njoftoi se mbrëmjen e ditës së hënë se sulmet e tij kishin nën shënjestër, sekretarin e Këshillit suprem të Iranit, Ali Larijani, për të cilin ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz sapo ka njoftuar se u vra gjatë ofensivës.

Sakaq, duke monitoruar natyrën e përshkallëzimit nga Republika Islamike e Iranit, shtetet e Gjirit Persik së bashku po i bëjnë presion SHBA-së, që ta neutralizojë plotësisht Iranin, në mënyrë që të shmangen sulmet e reja në të ardhmen.

Po ashtu, Drejtori i Qendrës Kombëtare Kundër Terrorizmit në SHBA, Joe Kent, ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij, duke shprehur kundërshtimin e tij ndaj luftës së vazhdueshme në Iran.

Përditësimet LIVE, 17 mars

17:45 Konflikti në Lindjen e Mesme, Trump nga Shtëpia e Bardhë: Nuk jemi ende gati të largohemi, por do ta bëjmë së shpejti

Gjatë konferencës për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, i pyetur nëse ekziston një plan për “ditën tjetër” në Iran, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se, nëse SHBA do të tërhiqej tani, Iranit do t’i duheshin “10 vjet për t’u rindërtuar”.

17:40 Lufta në Lindjen e Mesme, Trump konferencë mediatike në SHBA: Iranit do t’i duhen 10 vite për t’u rindërtuar

Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk janë ende gati të tërhiqen nga përfshirja në Iran, por paralajmëroi se një largim do të ndodhë “në të ardhmen shumë të afërt”.

17:21 Dorëheqja e zyrtarit të lartë amerikan të Antiterrorit, reagon Trump: Bëri mirë që u largua, ishte shumë i dobët

Presidenti amerikan Donald Trump reagoi ndaj dorëheqjes së drejtorit të Qendrës Kombëtare Kundër Terrorizmit, Joe Kent, i cili deklaroi se nuk mund të qëndronte në detyrë pasi nuk mbështeste konfliktin në Iran.

17:04 Rritet bilanci i viktimave në Liban/ Shkon në 912 numri i të vdekurve që nga fillimi i luftës, mbi 2 mijë të plagosur

Ministria e Shëndetësisë e Libanit njoftoi sot se të paktën 912 persona kanë humbur jetën nga sulmet izraelite që nga fillimi i konfliktit mes Izraelit dhe Hezbollahut më 2 mars. Sipas deklaratës zyrtare, ky është një rritje nga bilanci i një dite më parë, kur raportoheshin 886 viktima.

16:43 Vendet e BE refuzuan operacionet në Hormuz, Trump sulmon NATO-n: Ne i mbrojmë ata, por ata nuk bëjnë asgjë për ne

Presidenti i SHBA, Donald Trump ka reaguar ndaj refuzimit të aleatëve kryesorë të Shteteve të Bashkuara në Europë për të marrë pjesë në operacionet ushtarake në Ngushticën e Hormuzit.

16:38 Jep dorëheqjen zyrtari i lartë amerikan i Antiterrorit, i bën thirrje Trump për luftën: Ndrysho kursin

Drejtori i Qendrës Kombëtare Kundër Terrorizmit në SHBA, Joe Kent, ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij, duke shprehur kundërshtimin e tij ndaj luftës së vazhdueshme në Iran. Në një deklaratë të publikuar në rrjetin social X, Kent tha se vendimi erdhi pas një periudhe të gjatë reflektimi.

15:56 Nafta me racion/ Britania ndërhyn, do të ofrojë 50 mln paund mbështetje. Sri Lanka dhe Mianmari nisin kufizimet

Frika nga racionimi të naftës ka nisur të hedhë rrënjë në Britaninë e Madhe, ku Ministri i Thesarit, Dan Tomlinson, e pranoi se kjo mundësi nuk mund të përjashtohet në mesin e kaosit që ka pllakosur Lindjen e Mesme.

15:45 Irani kërcënon SHBA-në: Nëse këmba e një ushtari amerikan shkel tokën tonë, Amerika do të përballet me një Vietnam tjetër

Nëse këmba e një ushtari amerikan shkel tokën tonë, SHBA-ja do të përballet me një Vietnam tjetër: Duke folur nga zyra e tij në Teheran, zv/ministri i jashtëm i Iranit, Saeed Khatibzadeh, pohoi se vendi i tij është i gatshëm ta vazhdojë luftën për aq kohë sa të jetë e nevojshme, dhe shtoi se Republika Islamike nuk është aktualisht e fokusuar tek gjetja e një zgjidhjeje diplomatike të konfliktit.

14:50 Izraeli eliminon drejtuesit kryesorë të Iranit, ‘shpëton’ vetëm presidenti Pezeshkian/ Lista e plotë e figurave të larta të vrara

Izraeli thotë se ka vrarë një tjetër figurë të lartë të Iranit, Ali Larijani, në një sulm ajror, duke paralajmëruar se do të “vazhdojë gjuetinë” ndaj liderëve të vendit. Vdekja e Udhëheqësit Suprem Ajatollah Ali Khamenei u njoftua njw ditw pas sulmeve amerikane-izraelite ndaj Iranit.

13:41 Irani do të sulmojë Ukrainën? Zelensky: Le të vijnë, nuk kemi frikë. Jetojmë me kërcënime çdo ditë

Ukrainën nuk e trembin kërcënimet e regjimit iranian për sulme ndaj territorit të saj, si përgjigje ndaj mbështetjes që Kiev i ka dhënë disa vendeve të Lindjes së Mesme. Në një intervistë The Jerusalem Post, presidenti Volodymyr Zelensky u shfaq sfidues. “Çfarë të reje ka kjo? Gjatë katër viteve të fundit kam dëgjuar shumë mesazhe të ndryshme,” tha ai, duke komentuar paralajmërimet e Teheranit.

13:27 SHBA ultimatum aleatëve për Iranin/ Sekretari Rubio: IRGC dhe Hezbollahu të shpallen organizata terroriste

Administrata e Presidentit Donald Trump i kërkoi diplomatëve amerikanë në mbarë botën të ushtrojnë presion mbi aleatët për ta shpallur Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike-IRGC të Iranit dhe grupin Hezbollah me qendër në Liban si organizata terroriste, duke përmendur rrezikun e lartë të sulmeve, sipas një kabllogrami të brendshëm të Departamentit të Shtetit të parë nga Reuters.

12:34 BE refuzon Trump për Hormuzin, Europa kundër përfshirjes në konflikt në Lindjen e Mesme: Nuk është çështje e NATO-s

Donald Trump po shfaqet gjithmonë e më i irrituar nga ajo që e konsideron përgjigje të munguar nga aleatët europianë të Amerikës, të cilët po e refuzojnë njëri pas tjetrit kërkesën e tij për ndihmë.

11:22 I njohur për shtypjen e protestave popullore, kush është Ali Larijani, shefi i sigurisë së Iranit që Izraeli pretendon se e ka vrarë

Forcat izraelite pretendojnë se kanë vrarë Ali Larijanin, kreun e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Iranit, një figurë kyçe e regjimit dhe e lidhur ngushtë me Gardën Revolucionare.

10:50 Izraeli njofton vrasjen e Sekretarit të Këshillit suprem të Iranit, Ali Larijani

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, sapo ka njoftuar se Ali Larijani, sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, u “eliminua” të hënën në mbrëmje.

10:42 Izraeli vijon ekzekutimet e zyrtarëve të lartë iranianë: Eliminuam udhëheqësin e milicisë

Forcat ajrore izraelite kanë vrarë Gholamreza Soleimanin, komandantin e njësisë paraushtarake iraniane Basij, që ka qenë aktiv në shtypjen e protestave antiqeveritare në Iran.

10:21 Lufta në Lindjen e Mesme, shtetet e Gjirit Persik kërkojnë që SHBA ta neutralizojnë plotësisht Iranin

Shtetet arabe të Gjirit nuk i kanë kërkuar Shteteve të Bashkuara të shpallin luftë kundër Iranit, por shumë prej tyre tani po i kërkojnë Uashingtonit të mos ndalet në gjysmë të rrugës, duke e lënë Republikën Islamike të vazhdojë të kërcënojë linjën jetësore të furnizimit me naftë të Gjirit dhe ekonomitë që varen prej saj, thanë për Reuters tre burime nga Gjiri.

09:37 Sulmet izraelite në Teheran, në shënjestër zyrtari i lartë iranian Ali Larijani

Izraeli ka vënë në shënjestër Ali Larijanin, një nga zyrtarët më të lartë të sigurisë në Iran, gjatë një sulmi ajror të kryer në Teheran mbrëmjen e së hënës.

09:07 Sulmet iraniane në Abu Dhabi, shtetasi pakistanez humb jetën pasi goditet nga mbetjet raketore

Një shtetas pakistanez ka humbur jetën nga mbetjet që ranë nga një raketë balistike e shkatërruar në zonën Baniyas të Abu Dhabit, tha të martën zyra e medias e qytetit.

08:40 “Duhet të veprohet sa më shpejt kundër Iranit”, Zelensky: Bashkëpunimi ushtarak mes Moskës dhe Teheranit po rritet

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të veprojë shpejt kundër Iranit, duke paralajmëruar për bashkëpunim ushtarak në rritje midis Teheranit dhe Moskës, dhe i dërgoi një mesazh kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.

08:25 “Situata në Ngushticën e Hormuzit vjen nga një luftë ku ne nuk marrim pjesë”, Antonio Costa: Palët duhet të përmbahen

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, me rastin e Këshillit Evropian në Bruksel më 19 dhe 20 mars, iu referua krizës në Lindjen e Mesme, duke theksuar vështirësinë e parashikimit të kohëzgjatjes së saj, pasi, siç tha ai, qëllimi përfundimtar i këtij konflikti nuk është i qartë.

07:59 “I urrej luftërat më shumë se çdokush”, Trump: Nëse nuk do ta kishim sulmuar Iranin, ata do shkatërronin Lindjen e Mesme

Askush tjetër përveç Donald Trump, i cili, me luftën ndaj Iranit që tani është në javën e tretë, ende nuk mund të thotë se kur dhe veçanërisht si do të përfundojë e gjitha.

Në deklaratat nga Zyra Ovale të hënën, pasi mbuloi disa çështje aktuale të brendshme, presidenti amerikan iu drejtua luftës, duke përsëritur se Irani ishte në prag të bërjes së diçkaje që do të destabilizonte rajonin e gjerë dhe madje të gjithë botën.

07:22 Sulm me dron në një fushë nafte në Abu Dhabi, nuk raportohet për të lënduar

Një zjarr ka shpërthyer në fushën e naftës dhe gazit Shah, në Abu Dhabi pas një sulmi me dron, njoftuan autoritetet lokale të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB