Deklaratat e drejtorit të antiterrorizmit pas dorëheqjes për Iranin, reagon Shtëpia e Bardhë: Pretendime të rreme, iranianët ishin të rrezikshëm

17/03/2026 18:20

Shtëpia e Bardhë ka kundërshtuar deklaratat e ish-drejtorit të antiterrorizmit, Joe Kent, duke theksuar se Irani përbënte një kërcënim të menjëhershëm për Shtetet e Bashkuara.

Sekretarja e shtypit, Karoline Leavitt, deklaroi në rrjetet sociale se Kent ka bërë “shumë pretendime të rreme” në letrën e tij të dorëheqjes, veçanërisht lidhur me vlerësimin e kërcënimit iranian.

Sipas saj, Donald Trump dispononte “prova të forta dhe bindëse” se Irani po përgatitej të sulmonte SHBA-në.

“Këto prova u mblodhën nga shumë burime dhe faktorë. Presidenti Trump nuk do të merrte kurrë vendimin për të vendosur asete ushtarake kundër një kundërshtari të huaj në një vakum”, u shpreh Leavitt.

Ajo shtoi se Iranit i ishte dhënë “çdo mundësi e mundshme” për të hequr dorë nga ambiciet bërthamore, përpara se të merrej vendimi për veprim ushtarak.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, një sulm i përbashkët me Izraelin synonte të zvogëlonte ndjeshëm rrezikun për jetët amerikane dhe të parandalonte një sulm të mundshëm nga Irani.

Këto deklarata vijnë pas dorëheqjes së Kent, i cili kishte argumentuar se nuk ekzistonte një kërcënim i menjëhershëm dhe kishte kundërshtuar ndërhyrjen ushtarake ndaj Iranit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB